Në një moment kur marrëdhëniet mes tij dhe kryeministrit Edi Rama janë në pikën e vlimit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ndërmerr një tjetër lëvizje politike nga qelia. Ai kërkon të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, të parashikuar për më 14 nëntor, duke sinjalizuar se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga roli i tij në strukturat drejtuese të socialistëve.
Përmes një shkrese zyrtare të datës 10 nëntor, të dërguar nga paraburgimi në Fier, Veliaj i është drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Blendi Klosi, dhe prokurorit të çështjes në SPAK, duke kërkuar që t’i garantohet pjesëmarrja fizike në Asamble ose, në pamundësi të saj, përmes një lidhjeje me videokonferencë.
Lëvizja e Veliajt vjen pas akuzave dhe kundërakuzave të ditëve të fundit, të cilat kanë nxjerrë në publik tensionet mes tij dhe Ramës. Në këtë kontekst, kërkesa për të qenë pjesë e forumit të lartë drejtues të socialistëve merr edhe një dimension politik, pasi Veliaj kërkon të ushtrojë të drejtat e tij në parti, pavarësisht situatës së tij gjyqësore.
Në shkresë, kryebashkiaku rendit funksionet që pretendon se vijon të mbajë në Partinë Socialiste, duke theksuar se është anëtar i Asamblesë Kombëtare, i Kryesisë së PS-së, drejtues politik i qarkut Tiranë dhe kryetar i PS-së në Tiranë.
Ai argumenton se masa e sigurisë “arrest në burg” nuk duhet të sjellë automatikisht humbjen e të drejtave politike dhe statutore.
“Pjesëmarrja ime në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare ka rëndësi të veçantë, pasi synoj të paraqes personalisht qëndrimet, propozimet dhe kërkesat e mia për çështje që lidhen me funksionimin e Partisë Socialiste, ushtrimin e përgjegjësive të organeve të saj dhe të ardhmen e organizatës politike ku bëj pjesë”, shkruan Veliaj.
Kjo pjesë e letrës merr rëndësi të veçantë në sfondin e përplasjes me Ramën, pasi Veliaj kërkon jo thjesht të ndjekë mbledhjen, por të marrë fjalën, të diskutojë, të paraqesë propozime dhe të përfshihet në vendimmarrjen politike të Asamblesë.
Në kërkesën drejtuar Blendi Klosit, Veliaj kërkon t’i vihet në dispozicion rendi i ditës dhe dokumentacioni i mbledhjes, ndërsa kërkon marrjen e masave teknike për pjesëmarrjen e tij në distancë, në rast se autoritetet nuk lejojnë praninë fizike.
Madje, ai kërkon që, nëse nuk mundësohet asnjëra prej këtyre alternativave, qëndrimi i tij me shkrim t’i paraqitet Asamblesë dhe të pasqyrohet në dokumentacionin zyrtar të mbledhjes.
“Pjesëmarrja në një organ kolegjial nuk kufizohet vetëm te marrja dijeni për vendimet e tij. Ajo përfshin mundësinë reale për të dëgjuar, për t’u dëgjuar, për të diskutuar dhe për të marrë pjesë në vendimmarrje, sipas rregullave statutore”, thekson Veliaj.
Paralelisht, kryebashkiaku i kërkon SPAK-ut shqyrtimin urgjent të kërkesës dhe bashkërendimin me autoritetet e burgjeve, duke sqaruar se nuk kërkon ndryshimin apo pezullimin e masës së sigurisë.
Në përfundim të letrës, Veliaj këmbëngul se paraburgimi nuk duhet të shërbejë si arsye për përjashtimin e tij nga jeta politike.
“Privimi nga liria nuk duhet të shndërrohet, përtej kufizimeve të domosdoshme dhe të ligjshme, në përjashtim nga jeta politike dhe nga ushtrimi i funksioneve statutore që vazhdoj të mbaj”, shprehet ai.
Kërkesa e Veliajt e vendos drejtimin e Partisë Socialiste përballë një çështjeje të re, në një kohë kur raportet e tij me Ramën janë tensionuar dukshëm. Mbetet për t’u parë nëse drejtuesit e PS-së dhe autoritetet kompetente do t’i krijojnë mundësinë të marrë pjesë në Asamblenë e 14 nëntorit dhe nëse ai do ta përdorë këtë forum për të artikuluar qëndrimet e tij mbi zhvillimet e fundit brenda partisë.
LETRA E PLOTË
Fier, më 10.11.2026
DREJTUAR:
Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste të Shqipërisë
Prokurorit të çështjes pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK)
PËR DIJENI:
Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve
Drejtorisë së IEVP Fier
LËNDA: Kërkesë urgjente për garantimin e pjesëmarrjes dhe ushtrimin e të drejtave statutore në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, të datës 14 nëntor 2026, përmes pjesëmarrjes fizike ose, alternativisht, nëpërmjet videokonferencës.
I nderuar z. Sekretar i Përgjithshëm,
I nderuar z. Prokuror,
Në datën 14 nëntor 2026 është njoftuar zhvillimi i mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste të Shqipërisë, organ më i rëndësishëm i drejtimit dhe vendimmarrjes politike të partisë në mes dy kongreseve.
Unë jam anëtar i Asamblesë Kombëtare, i Kryesisë së Partisë Socialiste, drejtues politik i qarkut Tiranë, kryetar i Partisë Socialiste Tiranë, si dhe kryetar i zgjedhur i Bashkisë Tiranë. Për rrjedhojë, pjesëmarrja ime në këtë mbledhje lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e të drejtave që më burojnë nga anëtarësia dhe funksionet e mia në organet drejtuese të partisë.
Aktualisht ndodhem në paraburgim në IEVP Fier, në zbatim të masës së sigurimit personal të caktuar ndaj meje. Kjo rrethanë më kufizon lirinë e lëvizjes, por nuk sjell, në vetvete, humbjen e të drejtave të mia politike dhe statutore, për aq sa ushtrimi i tyre është i pajtueshëm me kufizimet e ligjshme që burojnë nga masa e sigurimit dhe regjimi i paraburgimit. E drejta për organizim dhe pjesëmarrje në jetën politike gëzon mbrojtje kushtetuese dhe konventore. Nenet 17 dhe 46 të Kushtetutës, si dhe neni 11 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kërkojnë që kufizimet e ushtrimit të këtyre të drejtave të kenë bazë ligjore dhe të respektojnë parimin e proporcionalitetit.
Pjesëmarrja ime në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare ka rëndësi të veçantë, pasi synoj të paraqes personalisht qëndrimet, propozimet dhe kërkesat e mia për çështje që lidhen me funksionimin e Partisë Socialiste, ushtrimin e përgjegjësive të organeve të saj dhe të ardhmen e organizatës politike ku bëj pjesë.
Për këto arsye, kërkoj të më mundësohet pjesëmarrja në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të datës 14 nëntor 2026, mundësisht në mënyrë fizike dhe nëse kjo nuk realizohet, nëpërmjet një lidhjeje të drejtpërdrejtë audiovizive.
I. KËRKESA DREJTUAR SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTISË SOCIALISTE
Në cilësinë e autoritetit përgjegjës për organizimin dhe koordinimin e veprimtarisë së organeve të partisë, ju kërkoj të ndërmerrni masat organizative dhe teknike për të garantuar pjesëmarrjen time efektive në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare.
Në mënyrë të veçantë, kërkoj:
1. Të më njoftohen zyrtarisht ora, vendi, rendi i ditës dhe dokumentet që do të shqyrtohen në mbledhjen e datës 14 nëntor 2026.
2. Të merren masat për mundësimin e pjesëmarrjes sime fizike, nëse kjo autorizohet nga autoritetet kompetente.
3. Në alternativë, të sigurohet infrastruktura teknike për lidhjen time të drejtpërdrejtë me videokonferencë nga IEVP Fier, me mundësi për të ndjekur diskutimet, për të marrë fjalën, për të paraqitur propozime dhe për të ushtruar të drejtat e tjera që më njeh Statuti.
4. Të bashkërendohen paraprakisht veprimet me administratën e IEVP Fier dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për realizimin e lidhjes audiovizive, duke respektuar kërkesat e sigurisë së institucionit.
5. Nëse pjesëmarrja ime e drejtpërdrejtë nuk mundësohet, të më jepet mundësia që qëndrimi im i shkruar t’i paraqitet Asamblesë dhe të pasqyrohet në dokumentacionin e mbledhjes, pa e konsideruar këtë alternativë si zëvendësim automatik të së drejtës për pjesëmarrje.
Pjesëmarrja në një organ kolegjial nuk kufizohet vetëm te marrja dijeni për vendimet e tij. Ajo përfshin mundësinë reale për të dëgjuar, për t’u dëgjuar, për të diskutuar dhe për të marrë pjesë në vendimmarrje, sipas rregullave statutore.
II. KËRKESA DREJTUAR PROKURORIT TË ÇËSHTJES
Duke qenë se ndodhem nën masën e sigurimit personal “arrest në burg”, ju kërkoj të shqyrtoni me urgjencë mundësinë ligjore të pjesëmarrjes sime fizike në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare dhe sipas kompetencës suaj, të jepni miratimin përkatës ose t’ia përcillni kërkesën pa vonesë autoritetit kompetent për vendimmarrje. Nëse pjesëmarrja fizike nuk mund të realizohet, kërkoj që të shqyrtohet dhe të mundësohet pjesëmarrja ime nëpërmjet videokonferencës nga ambientet e IEVP Fier.
Kjo alternativë nuk kërkon largimin tim nga institucioni, nuk cenon zbatimin e masës së sigurimit dhe mund të organizohet nën mbikëqyrjen e administratës penitenciare, duke respektuar kushtet ligjore dhe të sigurisë. Theksoj se kërkesa ime nuk synon ndryshimin, pezullimin apo shmangien e masës së sigurimit personal. Ajo synon vetëm gjetjen e një mënyre proporcionale për ushtrimin e një të drejte politike dhe statutore, pa cenuar qëllimet e ligjshme të paraburgimit. Për këtë arsye, kërkoj që çdo kufizim apo refuzim të mbështetet në një bazë konkrete ligjore, të arsyetohet dhe të marrë në shqyrtim mundësinë e pjesëmarrjes në distancë si alternativë më pak kufizuese.
III. URGJENCA E SHQYRTIMIT
Duke qenë se mbledhja e Asamblesë Kombëtare është caktuar për datën 14 nëntor 2026, kërkoj që kjo kërkesë të shqyrtohet menjëherë dhe që vendimmarrja të më komunikohet në kohë të mjaftueshme për organizimin e pjesëmarrjes. Mungesa e një përgjigjeje përpara zhvillimit të mbledhjes do ta bënte praktikisht të pamundur ushtrimin e të drejtës sime për të marrë pjesë në një proces konkret të vendimmarrjes politike.
Privimi nga liria nuk duhet të shndërrohet, përtej kufizimeve të domosdoshme dhe të ligjshme, në përjashtim nga jeta politike dhe nga ushtrimi i funksioneve statutore që vazhdoj të mbaj.
Në përfundim, kërkoj që Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe autoritetet kompetente të bashkërendojnë veprimet e nevojshme për të garantuar pjesëmarrjen time efektive në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të datës 14 nëntor 2026, fizikisht ose, alternativisht, nëpërmjet videokonferencës.
Me respekt,
ERION VELIAJ
Anëtar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste
