Nga Rigels Seliman
Nëntori në Shqipëri mban aromën e lagësht të një kalendari të mbingarkuar me histori, mitologji dhe mashtrime të mëdha politike. Mutacioni më i paimagjinueshëm historik nuk lindi nga idealizmi studentor i vitit 1990, por nga një datë plot simbolikë të errët diktatoriale: 8 Nëntori 1968.
Pikërisht në ditën kur regjimi kremtonte me histeri ceremoniale themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare, një mjek i ri 24-vjeçar po kapërcente pragun e altarit të pushtetit të Enver Hoxhës. Sali Ram Berisha nuk u bë anëtar i Partisë së Punës thjesht me një rregullore administrative; ai mori teserën e kuqe në një ditë të përzgjedhur me kujdes, një privilegj vetëm për të përzgjedhurit e rrethit të ngushtë të besnikërisë ideologjike dhe vigjilencës ndaj “armiqve të klasës”.
Ajo teserë nuk ishte thjesht një karton në xhep; ishte një pakt i heshtur me strukturat e Sigurimit, me sekretarët e parë të rretheve dhe me kupolën që kërkonte prova të panjollosura devotshmërie. Dhe ato prova u dhanë, vit pas viti, derisa erdhi dhjetori i vitit 1990 — momenti kur e njëjta diktaturë që po frynte frymën e fundit, vendosi të rikonfigurohej për të mbijetuar.
Në dramën më të madhe të tranzicionit shqiptar, udhëheqja komuniste e dërgoi sekretarin e saj të devotshëm me mision në krye të Lëvizjes Studentore. Me një manovër makiavelike, Berisha nxjerr gradualisht jashtë loje protagonistët e vërtetë, idealistët që kërkonin liri, dhe u vetëshpall profet i antikomunizmit.
Kjo është ironia tragjike dhe paradoksi më i madh i tranzicionit tonë: komunisti i 8 Nëntorit privatizoi me dhunë monopolin e antikomunizmit.
Për 36 vite me radhë, me të njëjtat metoda të Byrosë Politike — eliminimin e kundërshtarëve, demonizimin e mendimit ndryshe dhe linçimin e “tradhtarëve” — ai e sundoi opozitën dhe shtetin si një bunker të vetëm. Ai e konvertoi urrejtjen ndaj regjimit të vjetër në një biznes personal pushteti, duke u shitur shqiptarëve të njëjtin çaj të hidhur komunist, por me një letër të re antikomuniste.
Më 8 nëntor 1968 ai u betua përpara Partisë së Punës. Tri dekada e gjysmë më pas, pyetja që mbetet nuk është thjesht se ku e ka zemrën apo teserën e tij, por se si arriti një sekretar i devotshëm partie të mashtrojë një komb të tërë, duke i shitur hijen e Enver Hoxhës si të vetmen shpresë për demokraci.
