E premte, 23 Tetor, 2026

Melania Trump ndërmjetëson armëpushim në Ukrainë, Shtëpia e Bardhë zbulon marrëveshjen për qytetin e pushtuar nga Rusia

Share

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump, ka ndërmjetësuar një marrëveshje për ndërprerjen e përkohshme të luftimeve në qytetin ukrainas Oleshky, nën kontrollin rus. Marrëveshja synon të mundësojë dërgimin e ndihmave humanitare dhe evakuimin e sigurt të civilëve.

Uashingtoni bën të ditur se marrëveshja pritet të hyjë në fuqi më 29 tetor dhe parashikon pezullimin e përkohshëm të të gjitha operacioneve ushtarake në qytet, për të lehtësuar hyrjen e ndihmave humanitare dhe largimin e civilëve përmes një korridori të sigurt.

Oleshky ndodhet nën kontrollin e forcave ruse që prej vitit 2022. Banorët që kanë mbetur në qytet përballen me mungesa të ushqimeve, ujit të pijshëm, ilaçeve dhe shërbimeve bazë.

“Situata në Oleshky është e dëshpëruar. Qyteti ndodhet në vijën e parë të luftës dhe është në prag të shkatërrimit. Popullsia e mbetur përbëhet kryesisht nga të moshuar, të cilët kanë nevojë urgjente për kujdes mjekësor, ilaçe, ushqim dhe ujë të pastër”, deklaroi Melania Trump.

Sipas saj, banorët kanë qasje të kufizuar në energji elektrike, ndërsa rrugët e minuara dhe sulmet e vazhdueshme ushtarake e vështirësojnë transportin e ndihmave dhe evakuimin.

Shtëpia e Bardhë pretendon se Melania Trump dhe ekipi i saj kanë zhvilluar komunikime të drejtpërdrejta me përfaqësuesit rusë dhe ukrainas për të përcaktuar kushtet e armëpushimit, afatet dhe procedurat e zbatimit. Marrëveshja parashikon që përfaqësues civilë dhe politikë të të dyja palëve të bashkëpunojnë për të identifikuar nevojat e banorëve, duke përfshirë vizita në banesat e tyre.

Civilët që dëshirojnë të largohen nga qyteti do të marrin ndihmë për transportin drejt destinacionit që zgjedhin, qoftë në territorin e kontrolluar nga Ukraina, qoftë në Rusi.

“Vlerësoj se disa do të dëshirojnë të shkojnë në Rusi dhe të tjerë në Ukrainë”, u shpreh Zonja e Parë amerikane.

Melania Trump njoftoi gjithashtu se një organizatë e pavarur mediatike amerikane do të ndjekë nga afër operacionin humanitar dhe do të dokumentojë veprimtarinë e ekipeve ruse dhe ukrainase në terren. Sipas saj, prania e kësaj organizate synon të garantojë transparencën e procesit dhe respektimin e vendimeve individuale të familjeve.

Zonja e Parë shpjegoi se u njoh me gjendjen humanitare në Oleshky gjatë një takimi privat në Nju Jork, në kuadër të aktiviteteve që shoqëruan Asamblenë e 81-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ajo tha se më pas përdori kanalet e komunikimit të krijuara më parë me Moskën dhe Kievin gjatë përpjekjeve për ribashkimin e 34 fëmijëve me familjet e tyre.

Sipas deklaratës, Rusia dhe Ukraina caktuan ekipe të posaçme për koordinimin e operacionit, përfshirë çminimin e zonave ku do të kalojnë ndihmat dhe civilët. Marrëveshja, siç e paraqet Shtëpia e Bardhë, ka karakter lokal dhe humanitar. Ajo nuk përbën një armëpushim të përgjithshëm mes Rusisë dhe Ukrainës, por synon krijimin e kushteve për mbrojtjen dhe evakuimin e popullsisë civile në Oleshky.

Te tjera

Lajme te tjera