Në ditën e njëmbëdhjetë të protestave studentore, dhjetëra drejtues të administratës shtetërore janë përballur me një zhvillim që deri dje nuk e kishin parashikuar: kërkesën për të dorëzuar karrigen.
Kryeministri Edi Rama, të cilit studentët po i kërkojnë dorëheqjen prej dhjetë ditësh, ka vendosur t’ua kërkojë atë drejtuesve të institucioneve në varësi të ministrive.
Urdhri u është komunikuar ministrave më 22 tetor, ndërsa procesi i dorëheqjeve pritet të nisë sot, më 23 tetor. Drejtuesit duhet të dorëzojnë dorëheqjet deri të hënën, më 26 tetor, së bashku me një raport mbi punën e tyre.
Nga kjo lëvizje përjashtohen institucionet e arsimit, shëndetësisë dhe Policia e Shtetit.
Megjithatë, dorëheqja nuk nënkupton domosdoshmërisht largim përfundimtar. Drejtuesit do t’i nënshtrohen një procesi vlerësimi, pas të cilit një pjesë mund të rikthehen në të njëjtat poste. Në këtë proces pritet të ketë rol edhe ministrja e Administratës Publike, Adea Pirdeni.
Por cilët janë drejtuesit që preken nga urdhri i kryeministrit?
Nga Tatimet dhe Doganat te kompanitë e energjisë, rrugët dhe Burgjet
Në Ministrinë e Financave, ndër drejtuesit e përfshirë në kërkesën për dorëheqje janë:
* Ilir Binaj, drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve.
* Besmir Beja, drejtor i Përgjithshëm i Doganave.
* Etugert Llazi, drejtor i Qendrës Kombëtare të Biznesit.
* Jonaid Myzyri, drejtues i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara.
Në sektorin e infrastrukturës dhe energjisë, lista përfshin drejtuesit e disa prej kompanive dhe institucioneve më të rëndësishme publike:
* Ami Kozeli, drejtues i Autoritetit Rrugor Shqiptar.
* Viola Haxhiademi, drejtuese e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).
* Elisian Bici, drejtues i Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST).
* Eltar Deda, drejtues i Albpetrolit.
* Ergys Verdho, drejtues i Hekurudhës Shqiptare.
* Dritan Isaku, drejtues i Albcontrol.
Në institucionet e drejtësisë dhe administrimit të vendimeve gjyqësore, kërkesa për dorëheqje përfshin:
* Sadleva Bodo, drejtuese e Përgjithshme e Burgjeve.
* Ergys Qirici, drejtues i Përgjithshëm i Përmbarimit.
* Besmir Kola, drejtues i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës.
* Valdrin Pjetri, drejtues i Agjencisë së Trajtimit të Pronave.
* Eduard Merkaj, drejtues i Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.
Në agjencitë e tjera shtetërore, ndër emrat e përfshirë janë:
* Silda Anagnosti Çepe, drejtuese e IdentiTek.
* Ervin Koçi, drejtues i Agjencisë së Inteligjencës Financiare.
* Laura Plaku Saro, drejtuese e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA).
* Ardita Kuçi, drejtuese e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR).
* Marjeta Përlala, drejtuese e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
Edhe drejtoresha e Burgjeve, e emëruar vetëm nëntë ditë më parë
Një nga rastet më të veçanta është ai i Sadleva Bodos, e cila mori drejtimin e Burgjeve më 14 tetor, vetëm nëntë ditë përpara nisjes së këtij procesi.
Edhe ajo rezulton mes drejtuesve të cilëve u është kërkuar dorëheqja, megjithëse sapo ishte emëruar në detyrë.
Ky rast ngre pikëpyetje mbi kriteret e operacionit të ndërmarrë nga kryeministri. Nëse qëllimi është vlerësimi i punës dhe përgjegjësisë së drejtuesve, mbetet e paqartë mbi çfarë rezultatesh mund të vlerësohet një titullare që nuk ka mbushur ende dy javë në detyrë.
Urdhri shtrihet edhe te drejtoritë rajonale
Operacioni nuk kufizohet vetëm te drejtuesit e institucioneve qendrore. Kërkesa e Ramës përfshin edhe strukturat rajonale në varësi të ministrive, çka e zgjeron ndjeshëm numrin e funksionarëve që mund të preken.
Kjo do të thotë se në proces mund të përfshihen edhe drejtuesit e degëve dhe drejtorive territoriale të institucioneve shtetërore, përveç sektorëve të përjashtuar.
Megjithatë, ende nuk është publikuar një listë zyrtare e plotë me të gjithë emrat e drejtuesve rajonalë që duhet të dorëzojnë dorëheqjet. Po ashtu, nuk ka konfirmim individual për pranimin e dorëheqjeve të drejtuesve të mësipërm.
Studentët kërkojnë dorëheqjen e Ramës, Rama kërkon dorëheqjen e drejtorëve
Lëvizja e kryeministrit vjen në një moment kur qeveria po përballet me protesta të vazhdueshme dhe kërkesa për përgjegjësi politike.
Ndërsa studentët kërkojnë largimin e kreut të qeverisë, Rama ka zgjedhur të ndërhyjë në nivelet drejtuese të administratës, duke kërkuar një proces dorëheqjesh masive.
Por ende nuk është shpjeguar publikisht çfarë përgjegjësie kanë drejtuesit e Tatimeve, Doganave, KESH-it, ARRSH-së apo institucioneve të tjera për krizën që ka nxjerrë studentët në rrugë.
Nëse bëhet fjalë për një proces vlerësimi të performancës, mbetet për t’u sqaruar pse ai zhvillohet njëherësh për institucione me funksione krejt të ndryshme dhe pikërisht në kulmin e protestave.
Po kështu, nuk dihet se mbi cilat kritere do të vendoset se kush largohet përfundimisht dhe kush do të rikthehet në detyrë.
Për momentin, drejtuesve u është kërkuar të dorëzojnë postet dhe të presin vlerësimin e qeverisë.
Studentët vazhdojnë t’i kërkojnë dorëheqjen kryeministrit. Kryeministri ua kërkon atë vartësve.
Të hënën do të shihet se kush e ka humbur vërtet karrigen dhe kush thjesht do ta dorëzojë për ta marrë përsëri.
