E mërkurë, 16 Shtator, 2026

Protestuesi përhap panik për terrorizëm në shkollën “Emin Duraku” në Tiranë, vihet në pranga! Zv/kryeministrja Koçiu: Ligji duhet të veprojë shpejt 

Share

Herët në mëngjes, pa u hapur ende dera e shkollës “Emin Duraku”, një qytetar aktiv në protestat antiqeveritare, zgjodhi të përhapë panik, ndërsa në orën 08.00 do të mbërrinin mësues e nxënës të shoqëruar nga prindërit, në ditën e parë të shkollës. Rreth orës 06:30 47 vjeçari, telefonoi policinë e shtetit.

“Sapo mora Policinë e Shtetit te 112 për të denoncuar faktin për terrorizimin me lëndë shkatërrimi në masë te shkolla. Jam te shkolla ‘Emin Duraku’ për të denoncuar faktin e terrorizmit. Të shikojmë për sa do të vijnë”, thotë ai në video.

Të gjithë procesin e pritjes së policisë, e deri në mbërritjen e uniformave blu, 47-vjeçari e ka filmuar dhe e ka shfaqur live në profilet e tij në rrjetet sociale.

“Të shohim për sa vjen patrulla për terrorizëm në shkolla së kur je te Kryeministria duke protestuar të shoqërojnë me sekonda, ndërsa tani 1 mijë fëmijë nuk vlejnë sa Kryeministri, paradoksi shqiptar”, thotë AI.

Teksa patrulla me 3 efektivë mbërrin pas pak minutash në shkollën 9-vjeçare “Emin Duraku”, qytetari protestues, tenton të shpjegojë përse foli për terrorizëm në ditën e parë të nisjes së arsimit parauniversitar.

“Shkollat janë objekt i kategorisë së veçantë numër 3 dhe janë të bëra me polesterol të djegshëm të lutem hajde verifiko thërrit policinë shkencore dhe vëri shiritat.

Kjo është një shkollë e bërë me fondet e rindërtimit, EU4Schools, është e gjitha me polisterol të djegshëm, me fasadë të ventiluar medemek. Asnjë mësues nuk ka informacion se si të nxjerrë fëmijët në rast zjarri nga klasa, kurse një fëmijë mund t’i vërë zjarrin lehtësisht shkollës thjesht për të mos bërë një provim. Thërrit policinë shkencore ti vejë shiritin shkollës.

Ndërkohë zv.kryeministrja Albana Koçiu e ka cilësuar alarmin e rremë për bombë në shkollën “Emin Duraku” në Tiranë, për të cilin u arrestua 47-veçari, si një “çmenduri të mirëfilltë kriminale”, duke theksuar se një akt i tillë nuk mund të anashkalohet.

Sipas Koçiut, një alarm i rremë në ditën e parë të mësimit, kur oborret e shkollave janë të mbushura me fëmijë, nuk është një test për Policinë e Shtetit dhe as një lajthitje e rastësishme.

“Një alarm i rremë për bombë në një shkollë në Tiranë, ditën e parë të mësimit, kur oborret janë të mbushura plot me fëmijë, nuk është një shaka e hidhur, nuk është një test cinik për reflekset e Policisë së Shtetit dhe as një lajthitje e rastësishme e një mendjeje të papjekur, por një çmenduri e mirëfilltë kriminale. Këtyre që ndosin protestën, që e ngatërrojnë lirinë me anarkinë e mendjeve të tyre të boshatisura, duke e kthyer hapësirën tonë publike në një fushë eksperimentesh të dështuara, ligji duhet t’u tregojë shumë shpejt se Shqipëria nuk është një teatër ku mund të luajnë falas dramat e tyre të sëmura”, u shpreh Koçiu.

Në përfundim të reagimit, ajo theksoi se refuzimi i këtyre sjelljeve duhet të jetë një qëndrim i të gjithë shoqërisë.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Te tjera

Lajme te tjera