Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, në bashkëbisedimin e përjavshëm me qytetarët në rrjetet sociale, u ndal te protestat opozitare, situata politike dhe ekonomike në vend, zjarret, korrupsioni, krimi i organizuar, ndërtimet, reforma territoriale dhe zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Berisha e cilësoi protestën qytetare si një “uragan të lirisë” dhe tha se qëndrueshmëria e saj është me rëndësi të jashtëzakonshme. Ai bëri thirrje për pjesëmarrje më të gjerë qytetare dhe deklaroi se opozita duhet të bashkohet në një front të përbashkët për të synuar ndryshimin e qeverisë.
Një pjesë të rëndësishme të deklaratave e zuri akuzat ndaj qeverisë për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Berisha premtoi se, në rast të rikthimit të PD-së në qeverisje, do të zbatohet “zero tolerancë” ndaj krimit dhe korrupsionit, ndërsa deklaroi se do të krijohet një agjenci e posaçme për identifikimin dhe konfiskimin e pasurive të paligjshme.
Duke komentuar zjarret e ditëve të fundit në vend, Berisha ngriti dyshime për lidhjen e tyre me interesat e ndërtimit dhe betonizimit, ndërsa kritikoi qeverinë për menaxhimin e situatës dhe për trajtimin e zjarrfikësve.
Ai akuzoi gjithashtu qeverinë për abuzime në sektorë të ndryshëm, përfshirë ndërtimin, energjinë, shëndetësinë dhe prokurimet publike, duke përmendur koncesionin e hemodializës, TEC-et lundruese, importin e ilaçeve dhe tenderat e AKSHI-t. Berisha kritikoi edhe SPAK-un dhe Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se ato nuk po hetojnë përgjegjësit e nivelit të lartë të qeverisë.
Për situatën demografike, kreu i PD-së tha se reforma territoriale duhet të synojë ripopullimin e vendit dhe kundërshtoi propozimin për 46 bashki. Sipas Berishës, PD propozon një model me 101 bashki, me synimin për të rikthyer shërbimet dhe investimet në zonat rurale.
Berisha foli edhe për zgjedhjet vendore të vitit 2027, duke deklaruar se PD ka nisur përgatitjet për programet lokale dhe përzgjedhjen e kandidatëve, me synimin për të paraqitur oferta konkurruese në çdo bashki.
Në përmbyllje të fjalës së tij, lideri demokrat tha se PD po vijon procesin e ripërtëritjes, modernizimit dhe përsosjes së vizionit të saj dhe përsëriti thirrjen për mbështetjen e protestave opozitare në Tiranë dhe në qarqet e tjera të vendit.
