Produktet tradicionale shqiptare përfaqësojnë një pasuri të çmuar të identitetit kombëtar, duke ndërthurur historinë, kulturën dhe punën e brezave. Përmes skemave të cilësisë dhe certifikimit, këto produkte mbrohen për të garantuar origjinën, autenticitetin dhe mënyrën tradicionale të prodhimit. Zv/ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR), Tana Kika, teksa ka shpërndarë reagimin e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, thekson se mbrojtja e këtyre produkteve është një investim në ruajtjen e trashëgimisë ushqimore, rritjen e vlerës së tyre në treg dhe mbështetjen e fermerëve e prodhuesve vendas. Çdo produkt i certifikuar është një dëshmi e traditës shqiptare dhe një ambasador i cilësisë së vendit tonë.
Postimi i zv/ministres Tana Kika:
A e dini se disa shije shqiptare mbrohen me ligj?
Më shumë se 10 produkte tradicionale shqiptare janë regjistruar në skemat e cilësisë. Në varësi të kategorisë, mbrohet origjina e produktit, lidhja e tij me zonën ku prodhohet ose mënyra tradicionale e përgatitjes.
Pas secilit produkt qëndron një histori e veçantë:
Qepa e Drishtit
Njihet dhe kultivohet prej më shumë se 200 vjetësh. Është e regjistruar në Inventarin Kombëtar të Resurseve Gjenetike me emërtimin “Qepa e Drishtit” dhe vendndodhje në Postribë.
Vaji i Ullirit Valmi, Elbasan
Është një vaj ekstra i virgjër prodhuar në Shirgjan të Elbasanit, i certifikuar me Tregues Gjeografik të Mbrojtur dhe i njohur për cilësinë 100% natyrale.
Molla e Dvoranit
Në Korçë, dokumentet tregojnë praninë e plantacioneve që në vitet 1934–1938.
Kërpudha e Pukës
Janë të egra dhe mblidhen me dorë në pyll. Ato nuk kultivohen dhe jetojnë në simbiozë me organizma të tjerë.
Mishavina e Bjeshkëve të Kelmendit
Receta 100 vjeçare e këtij djathi mbrohet ndërkombëtarisht. Familjet e zonës vijojnë të zbatojnë teknikën e prodhimit të trashëguar nga stërgjyshërit, pa e ndryshuar atë.
Gështenja e Malësisë së Madhe
Prej më shumë se një shekulli, gështenjat janë sinonim i Reçit, pemët më të vjetra janë rreth 250 vjeçare.
Kumbulla e thatë e Shumbatit
Vlerësohen për përmbajtjen e fibrave, magnezit dhe vitaminave B6, A dhe K.
Mjalti i Bedunicës
Është i rrallë dhe cilësor, përdoret për ushqim dhe qëllime mjekësore. Veçantia e këtij produkti lidhet me lulen e bedunicës, e cila rritet në zonën e Frashërit dhe në Parkun Kombëtar të Bredhit të Hotovës.
Glikoja e arrës
Është një ëmbëlsirë e përgatitur nga arra të vogla të papjekura dhe shurup sheqeri. Arrat mblidhen në pjesën e sipërme të luginës së lumit Vjosë, në zonën e Përmetit, ku këto pemë rriten në gjendje të egër.
Produktet e certifikuara dallohen nga logot në ambalazh, të cilat tregojnë kategorinë e mbrojtjes dhe dëshmojnë se janë përmbushur kërkesat përkatëse.
Kur mbrohet një produkt, nuk ruhet vetëm shija. Ruhen dija, puna dhe historia e vendit që e krijoi”, shkruan zv/ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Tana Kika, teksa ka shpërndarë reagimin e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë.
