E premte, 31 Korrik, 2026

Nga Taylor Swift te Dua Lipa: 9 unazat e fejesës për të cilat do të flasim edhe pas 20 vitesh

Share

Unazat e fejesës së personazheve të famshme kanë qenë gjithmonë më shumë sesa thjesht bizhuteri: shpesh kthehen në simbol të një epoke dhe përcaktojnë atë që mijëra çifte kërkojnë më pas te argjendarët.

Herë pas here, disa prej tyre arrijnë ta tejkalojnë lajmin e momentit dhe vazhdojnë të kujtohen për dekada, ashtu si safiri i Grace Kelly-t apo diamanti me prerje smeraldi i Jackie Kennedy-t.

Në vitin 2026, është bërë gjithnjë e më e qartë se disa unaza moderne do të përcaktojnë këtë periudhë: nga diamanti i thjeshtë oval i Zendaya-s dhe modeli vintage i Taylor Swift-it te unaza moderne e Dua Lipës dhe dizajni mbretëror me tri gurë i Meghan Markle.

Këto janë nëntë unazat e fejesës që pritet të analizohen, ruhen dhe kopjohen edhe pas një ose dy dekadash.

Hailey Bieber

Justin Bieber i propozoi Hailey-t në vitin 2018, por unaza e saj origjinale vazhdon të jetë një nga diamantet e personazheve të famshme më të kërkuara dhe më të përmendura në internet.

Ajo përmban një diamant oval, që vlerësohet mes gjashtë dhe 10 karatësh, të vendosur mbi një rreth jashtëzakonisht të hollë prej ari të verdhë 18-karatësh.

Taylor Swift

Nëse unaza e Hailey Bieber nisi një trend modelesh minimaliste me rrathë tepër të hollë, unaza e Taylor Swift-it po hap një kapitull krejt të kundërt.

Në qendër ka një diamant antik me prerjen “old mine”, të vendosur mbi një rreth ari të verdhë me gdhendje unike, të realizuara të gjitha me dorë nga argjendarja Kindred Lubeck.

Sipas argjendares Steph Mazuera, unaza tërheq menjëherë vëmendjen sepse është e guximshme, e frymëzuar nga modelet vintage dhe shumë në përputhje me stilin personal të Taylor-it.

Dua Lipa

Pas dasmës së Dua Lipës me Callum Turner gjatë kësaj vere, vëmendja është rikthyer te unaza e saj e fejesës, për të cilën tashmë janë zbuluar edhe detajet zyrtare.

Unaza, e krijuar nga marka EÉRA, përmban një diamant të rrumbullakët, afërsisht dy deri në tre karatë.

Detaji që e bën veçanërisht të dallueshme është rrethi i trashë prej ari, i njohur si “cigar band”, i cili i jep një pamje të fuqishme, moderne dhe larg modeleve tradicionale delikate.

Në krijimin e unazës, dizajnerët synuan të pasqyronin kombinimin e forcës, vetëbesimit dhe elegancës së përjetshme që e karakterizon këngëtaren.

Zoë Kravitz

Fansat kishin muaj që spekulonin për fejesën e Zoë Kravitz me Harry Styles, por vetëm së fundmi aktorja dhe regjisorja e shfaqi qartësisht unazën.

Diamanti ka një prerje të zgjatur dhe është vendosur në një rreth ari të hollë.

Pikërisht ky montim delikat pritet të kthehet në një nga trendet kryesore të bizhuterive të martesës, me unazën e Kravitz që mund të shërbejë si modeli që do të kopjohet më pas.

Meghan Markle

Çdo element i unazës së Meghan Markle lidhet me trashëgiminë e familjes mbretërore britanike.

Ajo përbëhet nga tri gurë: një diamant më i madh në qendër dhe dy diamante më të vegjël anash. Secili prej tyre mbart një domethënie të veçantë.

Princi Harry e siguroi diamantin qendror në Botswana, ndërsa dy diamantet anësore vijnë nga koleksioni personal i Princeshës Diana.

Kur Harry i propozoi në vitin 2017, unaza kishte një rreth të plotë prej ari të verdhë. Dy vjet më vonë, Meghan e ndryshoi në mënyrë diskrete, duke e zëvendësuar me një rreth më të hollë pavé, të mbuluar me dhjetëra diamante të vegjël.

Selena Gomez

Kur Selena Gomez njoftoi fejesën me Benny Blanco, e shoqëroi lajmin me mesazhin “përgjithmonë nis tani” dhe me një unazë që tërhoqi menjëherë vëmendjen në internet.

Ajo përmban një diamant me prerje marquise, të vendosur mbi një rreth prej ari të verdhë dhe diamantesh pavé.

Zgjedhja dukej e veçantë dhe shumë personale, sidomos në një periudhë kur diamantet ovale dhe të rrumbullakëta dominojnë trendet.

Forma ka edhe një lidhje simbolike me karrierën e Gomez, e cila e kishte përmendur diamantin marquise në këngën “Good for You” që në vitin 2015.

Zendaya

Në stilin e saj karakteristik, Zendaya u fejua në fshehtësi me Tom Holland dhe e shfaqi zyrtarisht unazën vetëm kur vendosi vetë se kishte ardhur momenti, në tapetin e kuq të “Golden Globes 2026”.

Ekspertët nisën menjëherë ta analizonin. Unaza përmban një diamant natyral në formë të zgjatur, rreth pesë karatë, të vendosur horizontalisht.

Unaza frymëzohet nga epoka gjeorgjiane dhe ka një pjesë të pasme në formë kopse, mbi një rreth ari të verdhë.  Dizajni kombinon ar të bardhë dhe të verdhë 18-karatësh, duke krijuar një efekt të lehtë dyngjyrësh që i jep unazës njëkohësisht ngrohtësi dhe pamjen e një bizhuterie antike.

Sofia Richie Grainge

Unaza e fejesës së Sofia Richie Grainge është versioni në diamant i “quiet luxury”.

E dizajnuar nga argjendarja Stephanie Gottlieb, ajo përmban një diamant solitaire me prerje smeraldi, rreth gjashtë karatë, të vendosur mbi një rreth platini.

Prerjet smerald krijojnë reflektime të forta drite, një efekt që argjendarët e quajnë “salla e pasqyrave”.

Është një zgjedhje që përputhet në mënyrë të përkryer me estetikën minimaliste të Sofia-s.

Devon Lee Carlson

Fejesa e Devon Lee Carlson me aktorin Duke Nicholson solli një unazë që ngjan me një rikthim te magjepsja e botës së vjetër.

Në qendër ka një diamant të madh të rrumbullakët, të shoqëruar nga dy diamante më të vegjël të rrumbullakët. Së bashku krijojnë siluetën klasike me tri gurë.

Ky model ka rezistuar prej kohësh, edhe për shkak të simbolikës së tij: tri gurët përfaqësojnë të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e çiftit.

Te tjera

Lajme te tjera