E mërkurë, 20 Maj, 2026

Dërgoi Eurovisionin për herë të parë në Bullgari, kush është Dara dhe historia e dashurisë me mjekun

Share

Dara i dha Bullgarisë fitoren e parë në Eurovision me këngën “Bangaranga”, në një finale ku performanca e saj mori vëmendje të madhe. Pas shpalljes së rezultatit, kamerat fokusuan momentet mes këngëtares dhe bashkëshortit të saj, Ervin Ivanov, me përqafime dhe puthje që u shpërndanë menjëherë në rrjetet sociale.

Këngëtarja tregoi se ka qenë pikërisht partneri i saj ai që e bindi të marrë pjesë në Eurovision. Sipas saj, fillimisht kishte hezitime dhe pasiguri, por mbështetja e familjes dhe e bashkëshortit ndikoi në vendimin për të konkurruar.

Ervin Ivanov, 35 vjeç, nuk ka lidhje me industrinë muzikore. Ai punon në fushën e farmakologjisë dhe toksikologjisë, me fokus në kërkimin dhe zhvillimin e barnave inovative. Kërkimet e tij lidhen me kimioterapitë, terapitë e synuara dhe studimin e kanabinoideve e substancave të tjera aktive me origjinë natyrore.

Marrëdhënia e çiftit ka qenë shpesh në vëmendjen e mediave bullgare. Dara ka folur më herët për ndikimin që Ivanov ka pasur në jetën e saj personale, duke treguar se ai e ndihmoi të përballej me pasiguritë dhe mënyrën si e shihte jetën familjare.

Çifti u fejua në Tajlandë në shkurt të vitit 2024, ndërsa ceremonia e martesës u zhvillua në verën e vitit 2025.

Kush është Dara

Këngëtare dhe kompozitore, 27 vjeç, por rrugëtimi i saj artistik nis që në fëmijëri.

Me prejardhje nga Varna, një qytet në bregdetin e Detit të Zi, Darina (emri i saj i vërtetë, Dara emri artistik) është rritur me muzikën në mënyrë obsesive. Ka ndjekur Shkollën Kombëtare të Arteve në Varna, ku u specializua për këndimin folklorik, gjë kjo që mund të habisë pas performances “Bangaranga”.

Vetëm në moshën 16-vjeçare, Dara u rendit e treta në “X Factor”-in bullgar dhe nënshkroi kontratë me një kompanitë më të mëdha në Bullgari e që atëherë ka publikuar këngë të shumta. Ajo ka qenë një nga mentoret e “The Voice of Bulgaria” dhe vitin e kaluar ka publikuar albumin e saj “ADHDARA”. Pas emërtimit të këtij albumi ka dhe një historik, pasi ajo është diagnostikuar me ADHD si e rritur. Albumi ka të bëjë me zotërimin e çdo pjese kontradiktore të jetës: kaosin, ndjeshmërinë, zjarrin…

E pyetur përpara mbrëmjes finale se çfarë do të thoshte për të fitorja e Bullgarisë në Eurovision nëse do të ndodhte, Dara u shpreh se “Një fitore do të ishte në një dimension krejtësisht tjetër. Por dua të jem i sinqertë me ju. Fitorja do të ishte e jashtëzakonshme dhe unë do të garoj për të fituar, absolutisht. Por ajo që më motivon po aq shumë është ideja që Bullgaria të shihet. Vërtet e parë. Ne jemi një vend i vogël me një shpirt të madh kulturor, të lashtë, kompleks, kokëfortë në kuptimin më të mirë. Ne kemi një trashëgimi muzikore që bota mezi e ka njohur. Nëse “Bangaranga” mund të jetë kënga që e bën dikë në Mançester, Edinburg apo Brighton të nxjerrë telefonin dhe të kërkojë Bullgarinë, të kërkojë muzikën, bregdetin e saj, letërsinë e saj, njerëzit e saj, atëherë unë kam arritur diçka të vërtetë.“

Te tjera

Lajme te tjera