Ivanka Trump ka ndarë një rrëfim të sinqertë dhe emocional mbi disa nga periudhat më të vështira të jetës së saj, gjatë një interviste në podcastin “Ditari i një CEO”.
44-vjeçarja u përlot teksa kujtoi nënën e saj, Ivana Trump, duke theksuar ndikimin e madh që ajo ka pasur në jetën e saj.
“Nëna ime më mësoi të jap maksimumin në çdo gjë që bëj”, u shpreh Ivanka, duke shtuar se ajo kishte jetuar një jetë të lumtur.
Ajo u ndal edhe te dhimbja e humbjes së një prindi, sidomos kur kjo ndodh papritur, duke e lidhur këtë përvojë me periudhën e pandemisë COVID-19, e cila sipas saj u ka mohuar familjeve shumë momente të rëndësishme. Ivanka përmendi gjithashtu gjyshen e saj, Marie Zelníčková, me të cilën jeton aktualisht në Florida, duke e cilësuar si një figurë të dashur dhe të pazëvendësueshme.
Në intervistë, Ivanka Trump foli edhe për sfidat shëndetësore të bashkëshortit të saj, Jared Kushner, i cili është përballur dy herë me kancer në tiroide. Ajo tregoi se kjo periudhë e vështirë, së bashku me humbjen e nënës, e shtyu të kërkonte ndihmë përmes psikoterapisë.
“Sapo isha larguar nga Uashingtoni. Jaredit iu diagnostikua për herë të dytë kanceri i tiroides dhe më pas nëna ime vdiq”, tregoi ajo mes emocionesh.
Një tjetër moment i fortë ishte edhe kujtimi i atentatit ndaj të atit, Donald Trump, në Butler, Pennsylvania, në korrik 2023. Ivanka rrëfeu se e ndoqi ngjarjen në kohë reale nga një klub golfi në New Jersey, duke përjetuar ankth dhe frikë për jetën e tij, por duke pasur një ndjenjë të menjëhershme se ai do të ishte mirë.
Ajo zbuloi gjithashtu se ka zgjedhur të falë autorin e sulmit, Thomas Crooks, duke theksuar se falja është e vështirë, por e domosdoshme.
Në përfundim, Ivanka Trump theksoi se këto përvoja i kanë mësuar të mos marrë asgjë si të mirëqenë dhe të vlerësojë çdo moment me familjen dhe njerëzit e dashur.
