GJKKO ka dënuar me burgim të përjetshëm Altin Hajrin, për të cilin edhe SPAK kishte kërkuar mbylljen përjetë në qeli.
Altin Hajri akuzohet për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës. Më herët GJKKO dënoi me burgim të përjetshëm edhe Festim Bixhdilin, kopshtarin e kompleksit ‘Golden’ ku dyshohet se është torturuar deri në vdekje dhe më pas i është zhdukur trupi Prengës.
Hajri është dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm, edhe pse gjatë gjykimit, përmes avokatëve është pretenduar se ai nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen dhe nuk ka qenë në dijeni të zhdukjes së Prengës.
Hajri rezulton në arrati prej qershorit në 2017, kur u dënua në mungesë me 7 vite burg nga Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës, për vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Jan Prenga u rrëmbye mesditën e 17 janarit 2020 pranë banesës së tij, në rrugën ‘London’ në Kamëz. Disa persona e morën forcërisht dhe e futën në një automjet, ndërsa 11 ditë hetime intensive e çuan policinë në kompleksin në pronësi të Altin Hajrit.
Për pengmarrjen, policia arrestoi 4 persona: Olsi Turja, Bajram, Elton dhe Leonard Hajri të gjithë nga Shijaku.
Sipas SPAK, rrëmbimi i Prengës erdhi për shkak të vjedhjes së një sasie kokainë të mbërritur nga Ekuadori në portin britanik Portsmouth.
Dyshohet se Prenga ka humbur jetën, për shkak të dhunës, në automjetin që shërbeu për ta rrëmbyer, i cili referuar pamjeve filmike të SPAK, është stacionuar në kompleksin në pronësi të Hajrit.
Por, trupi i tij i pajetë ende nuk është gjetur.
Dëshmia e kopshtarit
Festim Bexhdili, kopshtar i Golden Resort, gjatë seancave gjyqësore, ka dhënë versionin e tij lidhur me atë se ccfarë ka ndodhur në kompleksin në pronësi të Hajrit.
“Po merresha me pastrimin e pishinës, kur papritur mbërriti një makinë Range Rover e bardhë dhe u fut në garazh. U afrova për të parë kush ishin. Brenda ishin katër persona të panjohur për mua, të cilët mbanin armë. Më kërkuan ujë për të pirë dhe ua solla, edhe pse ndihesha nën presion dhe i pasigurt.
Njëri prej tyre më tha se kishin në mjet një të vdekur dhe duhej ta ndihmoja për ta zhvendosur trupin nga automjeti i tyre në një tjetër. Nga frika dhe tronditja, pranova. Trupin e vendosëm në një Fiat Doblo që zakonisht e përdorim për nevojat e kompleksit.
Nuk mbaj mend mirë pamjen e tyre, megjithëse nuk ishin të maskuar. Njëri kishte tatuazhe të dukshme. Nga mënyra si flisnin, dukej sikur ishin nga veriu i vendit.
Pas pak minutash, aty erdhi Altin Hajri. Ai reagoi me zemërim, i qortoi dhe u tha që po sillnin telashe. U kërkoi të largoheshin menjëherë. Nuk kam dijeni se çfarë bëri më tej.
Më vonë, më kërkuan edhe një kazmë me një lopatë. Nuk shpjeguan arsyen pse. Ia dhashë dhe i morën me vete në makinë. Pas largimit të tyre, u nisa drejt shtëpisë time në Kavajë”, tha Bexhdili.
Pavarësisht dëshmisë, ai është dënuar me burgim të përjetshëm si nga shkalla e Parë e GJKKO-së, ashtu edhe nga Apeli.
Kush është Altin Hajri
Emri i Altin Hajrit u bë i njohur për gjatë operacionit Enigma të 2015-s, ku u arrestuan 16 persona, u sekuestruan 450 kilogramë drogë e përpunuar dhe me qindra kilogramë marjuanë dhe kokainë.
Po ashtu është akuzuar edhe nga Guardia di Financa e Venecias si njëri prej krerëve të organizatës kriminale që transportonte heroinë nga Afganistani drejt Italisë. Autoritetet italiane vendosën emrin e tij në listën e personave të kërkuar, por pas disa muajsh hetimet ndaj tij u pushuan.
Mesazhet në aplikacionin “SkyECC” kanë zbuluar se gjatë aksionit të Policisë së Shtetit për kapjen e tij, Hajri ishte fshehur në banesën e Jurgis Çyrbes, ish-deputetit të Partisë Socialiste në Shijak. Kështu i kishte shpëtuar arrestimit nga Policia e Shtetit.
Akuzat mbi Dritan Rexhepin
Për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës është akuzuar edhe Dritan Rexhepi, ndonëse ai ka refuzuar të flasë gjatë një seance gjyqësore.
“Në fundin e vitit 2019 kam qenë jashtë Shqipërisë. Kam qenë në burg në Ekuador, i dënuar me 13 vite për trafik droge. Si mund të kem qenë unë porositësi i një ngjarjeje që ka ndodhur kur unë ndodhesha në një burg në një kontinent tjetër?”, deklaroi Rexhepi në fillim të dëshmisë së tij.
Ai mohoi njohjen me Altin Hajrin dhe Gentian Funiqin, persona të cilët Prokuroria e Posaçme i cilëson si bashkëpunëtorët e tij në rrëmbimin dhe ekzekutimin e Jan Prengës.
“Gentian Funiqin e kam dëgjuar vetëm në media. Emri nuk më thotë asgjë. Nuk kam pasur kurrë kontakt me të. As me Altin Hajrin, nuk e njoh fare. Martin Bletën nuk e kam dëgjuar kurrë, as Korado Gështenjën.”
Rexhepi pretendoi se për herë të parë për ngjarjen ka mësuar nga të afërmit e tij.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
