E shtunë, 2 Maj, 2026

Vritet në sallën e gjyqit gjyqtari i Apelit të Tiranës, Astrit Kalaja! Plumbat kapin edhe babë e bir! Arrestohet autori, xhaxhai i tij humbi gjyqin për pronën

Share

Tirana u trondit pasditen e sotme nga vrasja e një gjyqtari brenda sallës së gjyqit në Apelin e Tiranës. Gjyqtari Astrit Kalaja, me një karrierë 32-vjeçare në sistemin e drejtësisë, ishte në krye të detyrës, duke shqyrtuar një çështje pronash, kur një nga personat palë në proces ka qëlluar me armë në drejtim të tij dhe dy personave të tjerë që ishin në gjyq. Fatkeqësisht, gjyqtari Kalaja nuk i ka mbijetuar dot plagëve dhe ka humbur jetën brenda në sallën e gjyqit.

Të plagosur kanë mbetur babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj. Njëri prej tyre, i është nënshtruar një operacioni, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Forca të shumta policie mbërritën në vendin e ngjarjes dhe arrestuan autorin e dyshuar Elvis Shkambi, 30 vjeç, duke i sekuestruar edhe armën e krimit

“Rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një procesi gjyqësor, dyshohet se shtetasi E. Sh., 30 vjeç (palë në proces) ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit, shtetasit A. K., dhe shtetasve R. K., 65 vjeç dhe E. K., 45 vjeç, atë e bir (pala tjetër në proces).   Si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. K. dhe janë plagosur shtetasit R. K. dhe E. K, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën”, informoi Policia e Tiranës.

Dinamika e ngjarjes

Gjyqi për çështjen e pronave nisi rreth orës 14:00 të mesditës së sotme, 6 tetor. Seanca në Apelin e Tiranës zgjati për rreth 1 orë e gjysmë, ndërsa rreth orës 15:40, gjyqtari shpalli vendimin. Gjon Shkambi, xhaxhai i autorit, humbi gjyqin, pasi gjyqtari Kalaja vendosi në favor të palës tjetër. Autori i cili ka qenë me armë me vete në sallën e gjyqit, duket qartë se e kishte një plan të mirëmenduar, dhe sapo është shpallur vendimi ka qëlluar më armë në drejtim të tij dhe dy personave të tjerë. Ky i fundit menjëherë armën ia ka dhënë rojës së sigurisë së gjykatës. Pas kësaj, autori ka dalë te dera e gjykatës ku i ka thënë patrullës së policisë që “unë jam autori”. Autori e ka pasur armën bosh dhe burimet i thanë Report Tv se e ka mbushur brenda gjykatës me plumba. 3 plumba e kapën gjyqtarin, 2 në kraharor dhe 1 në bark.

Dështim i masave të sigurisë

31-vjeçari Shkambi ka pranuar tashmë autorësinë e krimit, ndërsa mbetet e paqartë se si arriti që të futej brenda në sallë i armatosur, duke ngritur kështu alarmin për një dështim të masave të sigurisë në një prej institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë. Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ruhet nga polici private dhe jo nga Policia e Shtetit. Burimet i thanë Report Tv dhe Shqiptarja.com se dyshohet se nuk kanë funksionuar detektorët metalikë, duke mos kapur armën, që tashmë është sekuestruar nga policia. Para një viti në një nga proceset gjyqësore, pala humbëse kërcënoi me jetë trupën e gjykatësve. Çështja i kaloi organeve të drejtësisë dhe policia premtoi forcim të masave të sigurisë, por pa bërë asgjë konkrete.

Sherri për pronën, motiv i vrasjes

Në vitin 1992, 31 familje në lagjen Skënderbeg në Shkodër, me vendim të Bashkisë së Shkodrës, u vendosën në godinën e ish-shkollës së Rezervave të Ndërtimit. Banorët pretendojnë se prona është ende shtetërore, ndërsa Gjon Shkambi, xhaxhai i autorit të vrasjes së gjyqtarit, pretendonte se ishte pronar i godinës. Banorët e akuzuan në atë kohë se ka dokumente false.

Çështja është zvarritur në dyert e institucioneve dhe të drejtësisë. Përballjen me këto familje, Gjon Shkambi e ka fituar edhe në Gjykatën e Shkodrës, ndërsa në vitin 2024 e fitoi çështjen edhe në Apel.

Çështja tani ishte në Apelin e Tiranës, i vetmi në gjithë territorin e Shqipërisë. Ajo u ridërgua sërish në Apel nga familjet që kundërshtonin të lironin godinën. Kurtaj bashkë me 12 familje të tjera kishin paditur Zyrën e Përmbarimit të Shkodrës, dhe Gjon Shkambi, i cili pretendon edhe pronësinë e godinës ishte palë në këtë çështje.

Te tjera

Lajme te tjera