E shtunë, 2 Maj, 2026

GJKKO rikthen në burg Vangjush Dakon, ‘akullorja’ e Durrësit duhet të rrijë edhe 10 ditë në qeli

Share

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur këtë të martë që të lëjë në fuqi dënimin për ish-kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako, i cili pritet që të rikthehet në qeli.

Ditën e sotme, tre gjyqtarët e GJKKO Engert Pëllumbi, Miliana Muça dhe Iliriana Olldashi, vendosën që të lënë në fuqi vendimin për ish-kryebashkiakun e Durrësin, Vangjush Dako, i cili fillimisht u dënua me 4 vite burg, por nga gjykimi i shkurtuar dënimi i zbret në 2 vite e 8 muaj burg.

GJKKO vendosi që të mos pranojë ankimit të të pandehurit Fiqiri Farrukutdhe la në fuqi vendimin e datës 25 nëntor 2024, e cila e dënonte Vangjush Dakon me 2 vite e 8 muaj burg për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Ndërsa për tre të pandehurit e tjerë Fatmir Ejupi, Fiqiri Farruku dhe Adrian Bulku, u la po ashtu dënimi me nga 2 vite burgim me gjykim të shkurtuar.

Kujtojmë që Vangjush Dako u arrestua në 6 qershor 2023, dhe më pas u lirua në shkurt 2024. Ndërsa për një vit, Dako ishte nën arrest shtëpie. Dakos i ka mbetur edhe 10 ditë burg nga dënimi për ta shlyer, pasi pjesën tjetër të dënimit  ka kryer.

Dënimi i Vangjush Dakos:

Më 25 nëntor të 2024, GJKKO vendosi që të dënonte me 2 vite e 8 muaj burg për shpërdorim detyre në dy raste ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako.

Ndërsa edhe tre të pandehurit e tjerë, Fatmir Ejupi, Fiqiri Farruku dhe Adrian Bulku, dënuan me nga 2 vite burgim me gjykim të shkurtuar, por u pezulluan këto dënime dhe u kthyen me shërbim prove nga GJKKO.

Në vendimin e zbardhur të GJKKO theksohet se Vangjush Dako dënohet në bashkim dënimesh dhe gjykim të shkurtuar me 2 vite dhe 8 muaj burgim, teksa i llogaritet periudha e kohës e arrestit me burg për tetë muaj qershor 2023-shkurt 2024 dhe ajo e “arrestit shtëpiak”, nga muaji shkurt 2024 dhe deri tani.

Gjithashtu në aplikim të nenit 35/1 të Kodit Penal, “të pandehurit Vangjush Dako i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh”.

Heqje e të drejtës për 5 vite ushtrim të funksioneve publike u dha edhe për një nga të pandehurit e tjerë, Fatmir Ejupin, përveç shërbimit të provës në 4 vite. Dënimet me 2 vite burg për të tre të pandehurit e dosjes u pezulluan dhe u kthyen në shërbim prove.

Seanca e 21 Nëntorit u shty për mungesë avokatësh. Kurse më 12 Nëntor, SPAK-u dha pretencën për 4 të pandehurit e dosjes, ku për ish-kryebashkiakun kërkoi 4 vite izolim, që të konvertuara me gjykim të shkurtuar kthehen në 2,8 vite burg.

Vangjush Dako u arrestua në qershor 2023 pasi ndaj tij ishte caktuar ‘arrest me burg’ por pas 8 muajsh, në shkurt 2024 GJKKO vendosi të ndryshojë masën e sigurisë në ‘arrest shtëpie’ për shkak të kalimit të afateve.  Në korrik të këtij viti Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako për gjykim të shkurtuar.

Njoftimi i GJKKO:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi (kryesues), Miliana Muça (anëtare) dhe Iliriana Olldashi (anëtare), sot më datë 16.09.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 27 akti, datë 02.04.2025 regjistrimi, mbi ankimin e të pandehurve/ankues V.D., F.F., A.B., ndaj vendimit nr. 70, datë 25.11.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

1. Mospranimin e ankimit të të pandehurit F.F. ndaj vendimit nr. 70, datë 25.11.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;

2. Lënien në fuqi të vendimit nr. 70, datë 25.11.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;

3. Shpenzimet gjyqësore edhe të gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurve solidarisht;

4. U shpall në Tiranë, sot më datë 16.09.2025.

Te tjera

Lajme te tjera