Një rrjet kriminal i mashtrimit kompjuterik me bazë në Tiranë dhe që mashtroi qindra qytetarë gjermanë është shkatërruar nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet gjermane. Me vendim të GJKKO-së, u lëshuan 8 masa sigurie, 5 prej tyre arrest me burg dhe 3 prej tyre arrest shtëpie. 6 prej masave të sigurisë janë ekzekutuar, ndërsa 2 të tjerë janë ende në kërkim dhe nuk ndodhen në Shqipëri.
Prokurori i çështjes, Eneid Nakuçi dha detajet e operacionit, duke zbuluar si funksiononte skema e mashtrimit. Hetimi i nisur 18 muaj më parë, në dhjetor 2023, zbuloi se anëtarët e grupit telefononin shtetas gjermanë, por jo vetëm, dhe hiqeshin si policë duke i mashtruar sikur po hetonin për të rikuperuar dëmet që iu janë shkaktuar në fushën e kriptomonedhave dhe FOREX.
“Grupi vepronte si oficerë policie të rremë që përpiqeshin të rikuperonin dëmet dhe në fushën e kriptomonedhave dhe FOREX. (…)Nga hetimet e autoriteteve gjermane ka rezultuar se grupi i personave të dyshuar, vepronin me mënyrën e veprimit (“Modus Operandi”), Oficerë policie të rremë; Premtime të përfitimit; Kompani për mbledhjen e borxheve; Mashtrimi me karta me pagesë; Mashtrimi bankar në internet; Mashtrimi me investime; Mashtrimi i rikuperimit”, tha prokurori.
Në total grupi ka u ka shkaktuar 14 shtetasve gjermanë një dëm prej 363 501 Euro. Ata kanë mashtruar edhe persona në vende të tjera të BE, por vlera e dëmit përllogaritet vetëm për ata gjermanë që kanë bërë kallëzim tek autoritetet përkatëse.
Në kuadër të operacionit ‘Pandora’, më datë 18 prill 2024 është ushtruar kontrolli i ambienteve të Call Center-it të paligjshëm edhe në Shqipëri, ku u gjetën dhe sekuestruan prova materiale të shumta dixhitale dhe dokumentare.
“Në sajë të bashkëpunimit gjyqësor ndëkombëtar, nga autoritetet gjyqësore gjermane u dërgua analiza e plotë hetimore e provave materiale dixhitale, të cilat në harmoni dhe me provat materiale dokumentare të sekuestruara, ditën e kontrollit, çuan në rezultatin e qartë të ekzistencës së një grupi të strukturuar kriminal, me qëllim mashtrimin e shtetasve gjermanë, nëpërmjet qendrës së thirrjeve Call Center, të paregjistruar si biznes në organet tatimore”, tha prokurori Nakuçi.
Oliver Hoffman, drejtues i Zyrës Kriminale të Land-it Baden-Württemberg, i cili ishte edhe drejtuesi i palës gjermane në operacionin “Pandora” tha se të paktën 6 mijë qytetarë gjermanë janë shpëtuar nga mashtrimi, ndërsa kanë mundur të shmangin një humbje financiare prej 10 milionë eurosh.
“Për sa i përket dëmit të shkaktuar, në këtë rast konkret, nga 7.5 mijë raste të konstatuara, arritëm të pengonim 6 mijë të tilla. Në këtë mënyrë të vepruari, ja dolëm që të ulim dëmin e shkaktuar nga kjo veprimtari kriminale në këtë procedim”,- tha zyrtari gjerman.
