Universiteti i Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës, Vjenë (BOKU) është tashmë një partner strategjik i Universitetit Bujqësor të Tiranës që do të shërbejë si një model orientues për objektivat, veçanërisht në drejtim të ndërkombëtarizimit të strukturave dhe ofertës akademike.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj dhe rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku, zhvilluan një takim të rëndësishëm me Prof. Eva Schulev-Steindl, rektore e Universitetit BOKU, në Vjenë, ku diskutuan modalitetet dhe hapat e fundit para firmosjes së projektit të bashkëpunimit BOKU-UBT 2030.
Danja tha se, “nëpërmjet implementimit 4-vjeçar të këtij projekti, synohet reformimi i thellë i UBT-së, në mënyrë që të përafrohet brenda vitit 2030 me BOKU dhe universitetet homologe europiane në të tre kolonat e misionit të tij: programet e studimit, kërkimin shkencor dhe transferimin e njohurive”.
Ky projekt unikal reformimi dhe ndërkombëtarizimi e bën UBT Universitetin e parë në vend që projekton të ardhmen e tij me modelin e një ndër universiteteve më të mira në Evropë me një histori suksesi mbi 150 vjeçare në bujqësi, mjedis, bioteknologji, shkenca pyjore, ekonomi dhe zhvillim rural.
“Fillojmë nga implementimi në fillim të vitit 2024 me një plan të detajuar aktivitetesh të cilat do të realizohen nga ekspertët më të mirë të BOKU në bashkêpunim të ngushtë me stafin akademik të UBT”, u shpreh ministrja Denaj.
