Policia e Shtetit feston sot 113 vite nga themelimi i strukturës. Në kundër të kësaj date, u organizua një ceremoni me qëllim nderimin e disa prej figurave të policisë sot për kontributin e tyre përgjatë viteve. Prezent në ceremoni ishte gjithashtu dhe kreu i SPAK Klodian Braho dhe drejtori i BKH-së Joni Keta.
“Policia ka qenë dhe mbetet gur themeli i rendit, ligjit dhe stabilitetit shoqëror, por edhe simbol i bashkimit kombëtar”, tha Proda duke vënë theksin tek rëndësia e policisë dhe tek progresi i strukturës. Policia e Shtetit është formuar për herë të parë më 1913 nga kryeministri i kohës Ismail Qemali dhe drejtimi iu besua Halim Bej Gostivarit.
“Sot nuk festojmë thjesht një përvjetor, por nderojmë një histori, një mision, një institucion që prej 113 vitesh qëndron në këmbë përballë sfidave. 13 janari është një datë historike dhe jetike për vendin tonë, sepse pa rend nuk ka liri dhe pa siguri nuk ka të ardhme.
Kjo e vërtetë e thjeshtë ka udhëhequr për 113 vite misionin e Policisë së Shtetit shqiptar, që nga dita kur plaku i mençur Ismail Qemali, Kryeministri i kohës, vendosi për krijimin e Policisë, e cila përgjatë gjithë rrugëtimit të saj ka qenë dhe mbetet gur themeli i rendit, ligjit dhe stabilitetit shoqëror, por edhe simbol i bashkimit kombëtar. Mjafton të përmendim faktin se drejtuesi i parë i Policisë shqiptare ka qenë Halim Bej Gostivari, nga Gjakova”, tha Proda.
Proda nderoi 231 efektivët e policisë, të cilët humbën jetën në krye të detyrës. Kujtimi i tyre do të shërbejnë gjithmonë si pikë referimi për përmbushjen e misionit, një krenari për të gjithë policinë.
“Gjatë këtyre 113 viteve, 231 punonjës policie, 231 Dëshmorë, më të mirët prej nesh, dhanë gjithçka, duke vendosur jetën e tyre mbi çdo rrezik, për të mbrojtur qytetarët dhe ligjin. Akti i tyre sublim krijoi bazamentin mbi të cilin ndërtohet besimi, forca morale dhe identiteti ynë institucional. Sot e përjetë, ata janë motivi i misionit tonë, krenaria e Policisë dhe e gjithë shoqërisë. Emri i tyre është i skalitur në historinë e kombit”, tha Proda.
Falënderime dhe mirënjohje u thanë dhe për veteranët e Policisë së Shtetit, të cilët Proda i cilësoi si thesare të përvojës dhe burim frymëzimi për gjeneratat e reja.
“Në këtë rrugëtim 113-vjeçar kanë kontribuar gjenerata të tëra dhe sot shprehim mirënjohjen tonë për veteranët e Policisë, për kontributin dhe trashëgiminë që kanë lënë ndër breza. Ata janë thesari i përvojës, burim frymëzimi dhe shembull i profesionalizmit për brezat e rinj të Policisë, të cilët na kujtojnë se Policia është një mision i shenjtë, në themel të të cilit qëndron përkushtimi i palëkundur dhe guximi deri në vetëmohim, për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve dhe për të garantuar sundimin e ligjit”, tha Proda.
Kryepolici Proda dhe njëherë foli për bilancin vjetor të strukturës që ai drejton, duke përmendur operacionet e suksesshme, luftën e arrirë kundër bandave kriminale. Ndër këto pjesë e suksesit është dhe modernizimi i Akademisë së Sigurisë. Ilir Proda përmbyll fjalimin e tij duke thënë se Policia e Shtetit identifikohet përmes punës dhe jo sulmeve.
