Nga Rigels Seliman
Në më pak se katër vjet, skena politike shqiptare ka përjetuar një transformim të paprecedentë, të ngjashëm me atë që ndodh kur një shoqëri më në fund përballet me hijet e veta. Lista e zyrtarëve të lartë të hetuar, arrestuar apo shpallur në kërkim nga Prokuoria e Posaçme (SPAK) nuk është më një kronikë lajmesh, por një aktakuzë ndaj një sistemi të tërë politik që për dekada ka funksionuar me pandëshkueshmëri.
Goditja nis në dhjetor 2021 me arrestimin e Lefter Kokës, ish-ministër e figurë me peshë e jetës publike. Ky moment u pa ende si rast i izoluar, një shenjë se reforma në drejtësi po “bënte zhurmë”, por jo domosdoshmërisht histori. Por vetëm pak muaj më pas, kur Apeli dërgon Saimir Tahirin në burg, Shqipëria kupton se për shumë politikanë, tabelat e lojës kishin ndryshuar.
Mars 2022 sjell arrestimin e Alqi Bllakos, një tjetër figurë parlamentare që humbet imunitetin brenda ditës. Narrativa e pandëshkueshmërisë fillon të çahet. Njolla e frikës depërton në gjithë sistemin, ndërsa korriku i 2023-ës e shndërron në dukuri: ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj arratiset jashtë vendit përpara se policia t’i trokasë në derë, ndërkohë që Parlamenti i heq imunitetin. Ky është momenti kur politika shqiptare kupton se nuk ka më “emra të paprekshëm”.
Vijojnë arrestimet: Vangjush Dako në qershor 2023, dhe më pas një nga figurat më të rëndësishme të tranzicionit, Sali Berisha, vendoset fillimisht nën detyrim paraqitjeje dhe më vonë në arrest shtëpie, duke hyrë në histori si ish-presidenti i parë shqiptar që përballet me masa sigurie të tilla në kuadër të një procesi penal.
2024-a dhe 2025-a shënojnë një përshpejtim të jashtëzakonshëm. Në mars 2024 arrestohen drejtues të Bashkisë Tiranë, ndërsa në tetor 2024, Ilir Meta – ish-president, ish-kryeministër dhe një nga figurat më të fuqishme të politikës shqiptare – merret i arrestuar nga SPAK-u. Vetëm pak muaj më vonë, në shkurt 2025, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, përfundon në pranga, ndërsa në nëntor 2025, zv/kryeministrja Belinda Balluku pezullohet nga detyra dhe merret e pandehur.
Këto nuk janë më raste. Kjo është një rrëfenjë e re politike.
SPAK-u ka kthyer përmbys gjithë logjikën e vjetër të pushtetit, ku skandalet ishin të përditshme, por drejtësia ishte gjithmonë e vonuar. Sot, institucionet e reja të drejtësisë po shfaqin atë që për 30 vite është konsideruar e pamundur: se shteti shqiptar mund të hetojë, akuzojë dhe arrestojë emra të nivelit më të lartë, pavarësisht ngjyrës politike apo fuqisë së tyre.
Por një gjë mbetet themelore: këto goditje nuk janë fitorja e fundit, janë vetëm fillimi i përplasjes midis dy Shqipërive – asaj të vjetër, të kapur, të kompromiseve të heshtura, dhe asaj të re, që kërkon më në fund llogari dhe transparencë.
Nëse kjo valë pastrimi do të krijojë një politikë tjetër apo thjesht një cikël të ri protagonizmi, kjo mbetet për t’u parë. Por një gjë është e sigurt: Shqipëria e vitit 2025 nuk është më Shqipëria ku një dosje “mbyllej” me një telefonatë. Sot, për herë të parë, sistemi po tundet nga themelet dhe të gjithë po e shohin.
