Nga Rigels Seliman
Deputetja në ikje e PD, Flutura Açka sot sillet sikur ka zbuluar kontinentin e humbur dhe ka në dorë fatin e Partisë Demokratike. Në fakt, lidhja e saj me PD-në është po aq e hollë sa një fije letre, madje ajo nuk është gjë tjetër veçse një mysafire që hyri nga dera e hapur e Lulzim Bashës në Partinë Demokratike dhe tani sillet si pronare e shtëpisë. Pa Bashën, askush nuk do ta kishte parë ndonjëherë në skenën politike, sepse deri në vitin 2021 njihej thjesht si një shkrimtare e mbetur në një cep të vogël të Shqipërisë, ku librat shiten më pak ose aspak.
E megjithatë, sot ajo ka marrë poza të mëdha, sikur mbart mbi supe historinë, sakrificat dhe djersën e demokratëve. Me një vetëbesim që të kujton kalorësit e Don Kishotit, mundohet të japë leksione, të ndajë çertifikata morali dhe të shpallë veten busull e opozitës. Ironia është se, në vend që të sjellë ide, sjell thjesht zhurmë; në vend që të ndërtojë ura, lëshon predikime të thata, sikur publiku shqiptar po pret zbulesat e saj.
Në realitet, Açka nuk është gjë tjetër veçse një pasagjere e rastit, që ka zënë një karrige në trenin e PD-së dhe bën zhurmë sikur e drejton lokomotivën. Demokracia nuk ka nevojë për shkrimtarë të transformuar në “liderë shpirtërorë” nga një mandat deputeteje e dhuruar, por për figura që kanë kaluar nëpër djersën e bazës, jo për kalimtarë të rastësishëm që e shohin politikën si skenë personale. Nëse sot flet me tonin e një shpëtimtareje, kjo ndodh vetëm sepse harron një fakt të thjeshtë: historia e PD-së nuk fillon, as nuk mbaron, me Flutura Açkën.
