E premte, 17 Prill, 2026

Samiti i Diasporës, Presidenti Begaj: Shqiptaria nuk mbaron brenda kufijve tanë, është një zemër që rreh kudo ku ka shqiptar!

Share

Presidenti Bajram Begaj ka mbajtur fjalën hapëse në edicionin e katërt të Samitit të Diasporës, që po zhvillohet në Tiranë.

Në fjalën e tij, kreu i shtetit tha se shqiptaria nuk kufizohet brenda territorit të Shqipërisë. Sipas tij, ajo shtrihet përtej kufijve dhe ka ndikim në nivel global.

Begaj e vendosi theksin te roli që diaspora shqiptare luan jashtë vendit dhe te lidhja që ajo ruan me identitetin kombëtar. Mesazhi i tij u dha në nisje të aktivitetit që mbledh përfaqësues të shqiptarëve nga vende të ndryshme.

“Të nderuar bashkëkombas, miq, të ftuar, pjesëmarrës. Është kënaqësi e veçantë që t’ju përshëndes në këtë Samit të katërt të Diasporës. Samiti i Diasporës zhvillohet në një moment kyç, si kurrë më parë kaq pranë anëtarësimit në BE. Diaspora shqiptare është e pazëvendësueshme. Ajo duhet të jetë pjesë e mënyrës sesi mendojmë për shtetin dhe për të ardhmen. Shqipëria dhe shqiptaria nuk mbaron aty ku mbarojnë kufijtë tanë. Ajo është një zemër që rreh kudo ku ka një shqiptar. Kur flasim për diasporën sot, flasim për ndikim global. Shqiptarët janë aty, nga maja e IA, te institucionet ndërkombëtare, te auditorët e universiteteve më të mira, te arti e sporti.

Ju jeni fuqia, jeni ambasadorët tanë më të mirë, që kontribuoni pa urdhër, por me krenari. Sot jemi në një hap tjetër, në një marrëdhënie të re, në një kontratë të re, ku Diaspora nuk shihet më si burim remitancash, por si partner i vërtetë zhvillimi. Lidhja nuk është vetëm e zemrës, por edhe e mendjes. Për dekada diaspora ka qenë një ushtri ekonomike. Falë jush, shumë familje janë mbështetur ekonomikisht dhe kanë ecur përpara. Duam që të investoni mendjen dhe kapitalin tuaj këtu. Tashmë e drejta e votës nuk është më një premtim, por një realitet. Bota arbëreshe është një dëshmi e gjallë se identiteti shqiptar i mbijeton shekujve, por sot sfidat janë të tjera. Historia jonë ka qenë shpesh histori largimesh. Në rrugën tonë drejt Europës, diaspora shqiptare është zëri më i besuar”, tha mes të tjerash Begaj.

Te tjera

Lajme te tjera