E premte, 1 Maj, 2026

Rama shfaqet në Berlin si artist dhe shigjeton BE: Janë shumë të ngadaltë, duhet të lëvizë më shpejt!

Share

Në një mbrëmje të pazakontë në Berlin, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u shfaq në rolin e artistit, duke prezantuar trembëdhjetë vizatime të tij në Ambasadën Italiane.

Veprat u ekspozuan në ambientet e misionit diplomatik, në kuadër të ekspozitës personale “Chrysalizing”, e hapur aktualisht në galerinë Société, ku vizitorët mund të shohin gjithashtu edhe skulpturat e tij.

Aktiviteti mori formën e një bisede publike, ku ambasadori italian Fabrizio Bucci intervistoi kryeministrin/artist. Gjatë diskutimit, Rama ndau një sërë anekdotash me tone ironike, duke rikujtuar edhe të kaluarën e tij si basketbollist.

“Unë jam artisti më i mirë në botë mes kryeministrave dhe kryeministri më i mirë mes artistëve!” u shpreh ai me humor.

Në vijim, Rama trajtoi edhe çështje politike, duke u ndalur veçanërisht te Bashkimi Evropian.

“BE-ja është një bekim për ne; roli i saj është shumë i dobishëm për ndërtimin e institucioneve dhe di si ta bëjë këtë. Është procesi më neurotik i mundshëm, por funksionon. Falë tij, ne kemi ndryshuar,” deklaroi ai.

Kryeministri theksoi gjithashtu se Bashkimi Evropian ka “ndryshuar qëndrimin e tij themelor” pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

“Më parë përdornin fjalët e duhura, por veprimet nuk pasonin. Kur ndodhi pushtimi, e kuptuan se të gjithë ata jashtë bllokut mund të humbisnin,” u shpreh Rama.

Megjithatë, ai kërkoi përshpejtim të mëtejshëm të procesit evropian, duke e cilësuar metodën aktuale si të ngadaltë dhe të mbushur me pengesa.

“Duhet të bëjmë atë që duhet të bëjmë. Dhe do të ecim përpara sepse kështu përmirësohemi,” tha ai.

Me një ton ironik më pas shtoi: “Lajmi i mirë është se ne nuk do të bëhemi kurrë një Gjermani, sepse nuk jemi të aftë për këtë. Por një ‘Itali e vogël’?”

Gjatë bisedës me ambasadorin Bucci, Rama rikujtoi edhe periudhën e tij si pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë dhe si kryetar i Bashkisë së Tiranës nga viti 2000 deri në 2011. Ai u ndal te transformimi urban i kryeqytetit dhe evolucioni i shoqërisë shqiptare.

Sipas tij, një shoqëri që fillimisht udhëhiqej nga “uria” dhe nga “interesat personale” në sferën private, ka zhvilluar gradualisht interes për hapësirën publike. Këto procese, sipas Ramës, reflektohen edhe në artin e tij përmes transformimit të formave, ashtu si edhe në punën e tij si kryebashkiak në transformimin e Tiranës.

Aktiviteti u organizua në bashkëpunim me galerinë Société, në kuadër të “Gallery Weekend Berlin”. Ambasada Italiane mbështeti gjithashtu pjesëmarrjen e bandës muzikore “Olevano Romano Marching Band”, e cila është pjesë e një vepre të artistes gjermane Annika Khars, aktualisht e ekspozuar në muzeun Hamburger Bahnhof në Berlin.

Te tjera

Lajme te tjera