Nga Rron S. Shkamborri
Më 11 maj, Kryeministri Edi Rama u shfaq si “shpëtimtari” i radhës, duke na tundur para hundës flamurin e BE-së dhe premtimet për drejtësi, zhvillim dhe legalizime deri në vitin 2028. Populli e besoi si gjithmonë, i mbushur me iluzionin se vota këtë herë do të sillte dritë, jo zhgënjim. Por sapo u mbyll kutia e fundit e votimit, filloi spektakli i vërtetë: jo ai i Evropës, por ai i fadromave dhe kërbaçit.
Në vend të përqafimit europian, shqiptarët u përballën me një hakmarrje të ftohtë dhe të organizuar: ndërtime pa leje që deri dje përdoreshin si dekor elektoral, sot po shemben me arrogancën e një pushteti që nuk pyet më për askënd. Jo për ligjin, as për qytetarin. Sepse pasi të ka marrë votën, Rama s’të sheh më si qytetar, por si peng i nënshtruar.
Në Theth, Velipojë, Shkodër, Durrës, Vlorë, Tiranë e kudo, IKMT u kthye në versionin modern të kordonit policor: shko, shemb, hesht. Dhe nëse dikush pyet: “Po ku ishte shteti gjatë fushatës?”, përgjigjja është e thjeshtë – shteti po rrinte urtë, derisa të mblidhte votat. Tani që i ka, ka marrë edhe lejen morale për të shkatërruar. Dhe në vend që të ndëshkojë oligarkët, godet të vegjlit – ata që i dhanë votën me shpresë, dhe sot marrin Nocin dhe kërbaçin. Hipokrizia nuk fshihet më. Rama del në media e flet për “civilizim urban”, ndërkohë që qindra qytetarë humbasin pronat e tyre pa asnjë paralajmërim të drejtë. Dhe për të justifikuar dhunën shtetërore, përdor sllogane boshe si “zero tolerancë” dhe “për shtetin ligjor”. Por ku ishte ligji kur ndërtoheshin ndër shtëpitë për fushatë? Apo ndoshta ligji fle, dhe zgjohet vetëm kur bie bilanci i votave në xhep.
Kjo nuk është qeverisje – është gjobëvënie politike. Është arrogancë e pushtetit që të thotë: “Më jep votën, pastaj e zgjidh unë si të të trajtoj.” Është mashtrim institucional. Një cirk elektoral ku shqiptarëve u jepet një llokum gjatë fushatës dhe një grusht pas saj. Në fund, kjo është ajo që ndodhi: Rama na mashtroi me stil, na shiti ëndrrën europiane me spango propagande, dhe sapo mori atë që donte – u kthye në vetveten e tij të vërtetë. Një autokrat me fadromë në dorë dhe popullin në shënjestër. Dhe ne, si gjithmonë, mbetëm me gisht në gojë – duke përtypur nocin, dhe duke ndjerë dhimbjen e kërbaçit.
