E enjte, 7 Maj, 2026

Ndahet nga jeta Servet Pëllumbi! Krerët e shtetit dhe politika homazhe, Rama: Do të mbetet pikë referimi! I biri: Jam krenar për vlerat që na la

Share

Krerët e shtetit, drejtues të lartë, miq e bashkëpunëtorë i dhanë lamtumirën e fundit akademikut, politikanit socialist dhe ish-kryetarit të Kuvendit Servet Pëllumbi që u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare. Përcjellja, e cila u bë sipas protokollit shtetëror, nisi në orën 13:00. Trupi i tij do të prehet në varrezat e Sharrës.

Në homazhet të cilat u mbajtën në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, socialistët e vlerësuan si një udhërrëfyes në ditët më të vështira të partisë.

I biri Arben Pëllumbi u shpreh se largimi i ka lënë një boshllëk, por gjithçka ka mbetur pas prej tij do të jetojë përherë.

Është e vështirë të gjesh fjalët kur humbet një baba, një shtyllë të jetës tënde, një figurë që të ka udhëhequr. Babai ynë nuk ishte thjesht prind, ishte njeri i rrallë. Ai na mësoi se jeta duhet jetuar me ndershmëri, përgjegjësi dhe dashuri për familjen. Na mësoi të qëndrojmë të fortë, të mos ulim kokën dhe të ruajmë dinjitetin. Fjala e tij, prania, këshillat do të na shoqërojnë përgjithmonë. Sot jam krenar që jam djali i tij, për familjen që na la dhe vlerat. Ai do të jetojë gjithmonë te ne”, tha ai.

Kryeministri Rama tha se pavarësisht ndryshimeve që kishin mes tyre, me kohën pati një simpati e afrimitet të ndërsjellë, ndërsa e cilësoisi pikë referimi.

“Kur një njeri largohet shumëçka lidhet me të afrohet, por besoj se edhe kur ky afrim i gjërave si rezultat i momentit të tretet në kohë, profesori do të mbetet një pikë referimi në historinë  e ndryshimeve dhe ndryshimit të epokave, e padyshim një pikë referimi për të gjithë ata që do të duan një ditë të kuptojnë dinamikat dhe historinë e vetë PS. Ajo që është më e rëndësishme është kujtimi që ai lë mbrapa”, tha Rama.

I njohur si ‘profesori’ në qarqet socialiste, figura politike të majtë e të djathtë u shprehën se ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe.

“Ka qenë një nga zërat më të ekuilibruar, jo vetëm të politikës në përgjithësi, por brenda PS në veçanti. Një njeri reformator”, tha Topi.

Deputeti socialist Erion Braçe, kujtoi kohën kur Servet Pëllumbi ishte profesori i tij dhe i socialistëve.

Pëllumbi u shua pak javë para ditëlindjes së 35-të të PS, partisë së cilës i dha një kontribut të çmuar që në fillimet e saj. 

Ai njihet si një nga deputetët më jetëgjatë të Kuvendit të Shqipërisë, me pjesëmarrje aktive në komisionet e ndryshme parlamentare. Në vitin 2002 ai u zgjodh kryetar i Parlamentit, post të cilin e mbajti deri në vitin 2005.

Pëllumbi u diplomua për studimet e larta në Universitetin e Petersburgut me titullin doktor i shkencave në Letërsi. Nga viti 1960 – 1963, ai punoi si pedagog në Institutin Pedagogjik në Korçë dhe më pas e ushtroi këtë profesion deri më 1977. Në po këtë vit ai u zgjodh anëtar i Komitetit Drejtues së Partisë së Punës. Për gati tre vjet ka qenë pedagog në Universitetin e Tiranës. Ai është autor i dhjetëra librave dhe studimeve në filozofi, politikë dhe demokraci. Ndryshimet demokratike në vitin 1990 e pozicionuan Servet Pëllumbin në postin e nënkryetarit të PS, si pjesa konservatore e kësaj partie, përballë rrymës liberale të Fatos Nanos. Këtë post ai e mbajti deri në vitin 1996.

Te tjera

Lajme te tjera