E hënë, 17 Gusht, 2026

NATO shton forcat në Veri, Perëndimi “fik” shpresat e Vuçiçit për skenarë destabilizues, ja sinjalet se kërkesa e Serbisë për të dërguar ushtrinë në Kosovë nuk do të pranohet

Share

Radiotelevizioni i Serbisë ka raportuar ditën e djeshme se misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, i është dorëzuar kërkesa për dërgimin e pjesëtarëve të forcave serbe të sigurisë në territorin e Kosovës. Sipas raportimeve, kërkesa është bërë në Merdare, një prej pikëkalimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Nga ana tjetër dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, konfirmoi se ka pranuar kërkesën nga Beogradi. “Aktualisht jemi duke e shqyrtuar këtë kërkesë. KFOR vazhdon të jetë jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht i aftë të përmbushë misionin e tij që derivon nga Kombet e Bashkuara”, u shpreh KFOR. Por mesazhi i fortë për presidentin serb erdhi nga komandanti i KFOR-it, gjenerali Angelo Michele Ristucci. KFOR ka shtuar numrin e ushtarëve dhe patrullimet në qytete veriore të Kosovës. Sinjalet e qarta që u dhanë dje është se kërkesa e Serbisë për të dërguar ushtrinë në Veri të Kosovës nuk do të pranohet. “Që nga tetori, ne kemi përforcuar praninë tonë, duke përfshirë edhe me trupa dhe patrulla shtesë në veri të Kosovës këtë javë. Presim që të gjithë aktorët të koordinohen ngushtë me KFOR-in dhe të përmbahen nga paraqitja provokuese të forcës, për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve. Ne i nxisim të gjitha palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive për të mundësuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë. KFOR-i do të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999 për të gjitha komunitetet në Kosovë. Zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut”, ka thënë gjenerali Ristuccia.

Reagon BE

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka thënë dje se BE-ja vazhdon të punojë për parandalimin e konflikteve në veri të Kosovës. BE-ja, së bashku me partnerët e saj, vazhdon të punojë për de-përshkallëzimin, veçanërisht në veri të Kosovës, në mënyrë që të sigurohet një mjedis i sigurt dhe lëvizje e lirë për të gjithë qytetarët”, tha Stano në një konferencë për shtyp në Bruksel. Ai theksoi se Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrel dhe Përfaqësuesi Special Miroslav Lajçak janë në kontakt të vazhdueshëm me bashkëbiseduesit në rajon dhe vendet anëtare, si dhe me të gjithë aktorët e rëndësishëm dhe se kjo punë vazhdon”, tha Stano. Ai shtoi se BE-ja vazhdon angazhimin e saj të plotë dhe urgjent për të mundësuar de-përshkallëzimin dhe përparimin e dialogut në mënyrë që të arrihen rezultate shumë shpejt, por se i takon Serbisë dhe Kosovës që të angazhohen.

Reagimet në Serbi dhe Kosovë

Lëvizja për Rindërtimin e Mbretërisë së Serbisë (POKS) përshëndeti  dje vendimin e Qeverisë së Serbisë për të dërguar kërkesë zyrtare për kthimin e forcave ë sigurisë në Kosovë. Paraqitja e një kërkese është një vendim i mirë pavarësisht nëse do të pranohet apo jo. Nuk ka dyshim se Serbia duhet të mbajë një qëndrim më të vendosur ndaj Perëndimit kur është në lojë interesi më i rëndësishëm kombëtar, që është rivendosja e sovranitetit të plotë të shtetit të Serbisë në Kosovë dhe Metohi. “I bëj thirrje Qeverisë së Serbisë që të bëjë një hap më tej dhe të shtyjë zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit deri në mars të vitit të ardhshëm, të formojë Unionin e Komunave Serbe dhe të përmbushë dispozitat e tjera në favor të serbëve, ose ndryshe të kthehet në Situata e vjetër, para nënshkrimit të saj”, tha nënkryetari i Kuvendit të Serbisë dhe kryetar i POKS-së, Vojisllav Mihailoviç. Nga Kosova, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Adnan Rrustemi, ka thënë se policia dhe ushtria serbe nuk mund të jenë më në asnjë cep të Kosovës. Rrustemi ka thënë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar dhe e vendosur për mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit të saj territorial. “Ka marrë fund, asnjëherë ushtria dhe policia serbe nuk do të jetë në asnjë cep të Kosovës. Është përkushtim, vendosmëri e jona institucionale, të cilën asnjëherë nuk duhet ta diskutojmë. Deklarimet e Serbisë për kthimin e ushtrisë, janë deklarim i agresionit. Kosova është e vendosur për ta mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e saj territorial”, ka thënë Rrustemi.

Te tjera

Lajme te tjera