Nga Rigels Seliman
Ka disa ide që, kur i dëgjon, nuk të provokojnë thjesht zemërim, por të rrenqethin, të fyejnë logjikën dhe ndjeshmërinë më minimale njerëzore. Një prej tyre është propozimi i fundit që i hap rrugë lirimit me kusht të të dënuarve me burgim të përjetshëm. Po, po, edhe vrasësve më të pamëshirshëm, atyre që kanë shuar jetë pa mëshirë, që kanë zhdukur njerëz të pafajshëm, tashmë mund t’u jepet një shans për “rikthim në shoqëri”. Kjo nuk është më reformë – kjo është tradhti ndaj viktimave dhe tallje me drejtësinë!
Nuk jemi përballë një gabimi teknik, por përballë një absurditeti moral që do të sillte pasoja të parikuperueshme për rendin shoqëror. Sepse çfarë mesazhi jepet me këtë lloj ligji? Që një person mund të marrë jetën e dikujt dhe pas 20 apo 30 vitesh, nëse sillet “mirë” brenda burgut, del i lirë? Po viktima ku është? Po familja e saj? Apo dhimbja ka afat skadence?
Kjo situatë të kujton sarkazmën therëse të shkrimtarit gjerman, Bertolt Brecht, që përmes një figure të mprehtë e shpaloste hipokrizinë: “Dikush vrau prindërit dhe në gjykatë kërkoi mëshirë – sepse ishte jetim.” Ja pra, njësoj si në këtë rast. Një vrasës kërkon mëshirë nga shteti – jo pse është penduar me shpirt, por sepse ka kaluar vite në burg dhe di të thotë “kam reflektuar”. A thua pendesa është një letër rekomandimi që të jep lirinë? Kjo është ironike dhe tragjike në të njëjtën kohë.
Përveç kësaj, shoqëria shqiptare ka ende plagë të hapura nga hakmarrja dhe drejtësia private. Lehtësimi i dënimeve për kriminelë të rrezikshëm mund të nxisë valë revolte nga familjarët e viktimave, që do ta shohin këtë si një padrejtësi të re. Në mungesë të besimit te drejtësia, shumë prej tyre mund të zgjedhin vetë të “korrigjojnë” gabimin. Dhe kështu, rinis rrethi vicioz i gjakmarrjes, që nuk njeh reforma ligjore, por vetëm hakmarrje primitive.
Ndaj sot nuk jemi përballë një diskutimi teknik – jemi përballë një kufiri etik që nuk duhet kapërcyer. Drejtësia nuk është thjesht të rehabilitosh kriminelët, por të mbrosh të pafajshmit. Dënimi i përjetshëm nuk është akt hakmarrjeje, por garanci minimale që një krim monstruoz të mos përsëritet kurrë më. Dhe në këtë garanci, nuk ka vend për “kusht”, për “nëse”, për “ndoshta”.
Sepse jeta e humbur nuk kthehet, dhe krimi që është shpallur “i përjetshëm”, nuk mund të zbutet me kohë. Nëse fillojmë të falim edhe të pa-falshmit, atëherë kemi tradhtuar jo vetëm viktimat, por edhe vetë kuptimin e drejtësisë.
