Nga Rigels Seliman
Në historinë e shenjtë, Krishti kaloi nëpër Golgotë, u kryqëzua dhe u ngjall për t’i dhënë botës shpresën e amshimit. Por në Shqipërinë tonë, Golgota moderne ka marrë një tjetër pamje: populli ecën i kryqëzuar çdo ditë me halle, ndërsa politikanët bëjnë teatër duke u shfaqur herë si shpëtimtarë, herë si viktima të rreme.
Sot, shqiptarët e ndiejnë mbi supe peshën e një kryqi shumë më të rëndë se ai i drurit – peshën e korrupsionit, të padrejtësisë dhe të varfërisë së trashëguar brez pas brezi. Rrugët e këtij kombi janë të mbushura me gjakun e shpresave të shkelura, ndërsa “romakët” e rinj, të veshur me pushtet, ngulin gozhdë pas gozhde mbi trupin e qytetarëve të thjeshtë.
Ndërkohë, në teatrin politik, një dramë e re shfaqet: Krishti u ngjall, por Sali Berisha “vdiq”, politikisht. Një fund epoke që nuk sjell dot shpëtim, por vetëm një varrim simbolik të një figure që për dekada mbajti mbi kurriz – jo kryqin e popullit, por flamurin e vet të pushtetit, duke e çuar opozitën shqiptare në greminë. Madje, deri edhe Fatmir Mediu shkoi aq larg sa e krahasoi Berishën me Krishtin, një paralelizëm grotesk që vetëm sa thellon ironinë e kësaj Golgote moderne, ndërkohë që opozita s’ka më të ardhme me Saliun në krye.
Por a do të ketë ringjallje për shqiptarët? Apo Golgota moderne do të vazhdojë pa fund, me liderë që ikin e vijnë, ndërsa populli mbetet i kryqëzuar në vendnumëro?
Historia na mëson se pas çdo kryqëzimi vjen një ngjallje. Shpresa e shqiptarëve është që kjo të mos mbetet më një metaforë, por të bëhet realitet – që Golgota e përditshme të marrë fund, e që populli të ngjallet nga varri i varfërisë, korrupsionit dhe mashtrimit politik.
