E shtunë, 1 Gusht, 2026

Fatos Nano, intelektuali që i dha politikës shqiptare frymë, debat dhe dinjitet (një shuplakë për hipokritët që s’dinë të respektojnë as vdekjen)

Share

Nga Rigels Seliman

“Vdekja u buzëqesh të gjithëve, ne duhet t’ia kthejmë buzëqeshjen asaj”, Mark Aureli.Ka njerëz që nuk maten me vitet e pushtetit, por me gjurmën që lënë në ndërgjegjen e kombit. Ish-kryeministri, ish-kryetari i Partisë Socialist dhe politikani, Fatos Nano ishte një prej atyre burrave të rrallë që nuk erdhi në politikë për të sunduar, por për të ndryshuar mënyrën si mendohej pushteti. Një intelektual që i dha politikës shqiptare logjikë, frymë, ironi dhe debat-katër gjëra që shpesh mungojnë në një vend që e do zjarrin më shumë se arsyen.Nano nuk ishte një rastësi e historisë. Ishte produkt i dijes, i kulturës, i përgatitjes akademike dhe i guximit për të menduar ndryshe. Nga auditorët e ekonomisë deri te burgjet e Bënçës, ai mbeti një shpirt që nuk u thye. Në një kohë kur shumëkush heshti përballë dhunës së pushtetit, ai buzëqeshi ndaj vdekjes politike dhe madje i ktheu buzëqeshjen, ashtu siç do të këshillonte Mark Aureli.Lidershipi i Fatos Nanos nuk ishte britmë, por mendim. Nuk ishte shfaqje, por substancë. Ai nuk kërkonte duartrokitje, por kuptim. Në një skenë ku politika shndërrohej në teatër, Nano ishte i vetmi që fliste me gjuhën e një profesori, që debatonte me logjikë, jo me nerv. Ai nuk ishte i përsosur, por ishte i lirë, dhe kjo është më e rrallë se përsosja.Në drejtimin e tij, Partia Socialiste u kthye në një laborator mendimi, jo në një kazermë urdhrash. Ai ishte arkitekti i një force që diti të modernizohej, të hapte dyert e debatit, të pranonte rryma, ide dhe kontradikta. Ai e kuptoi se liria brenda partisë është më e vlefshme se bindja e verbër.Por si çdo mendje që sfidon mediokritetin, Nano u përball me helmin e hipokrizisë. U burgos padrejtësisht, u gjykua politikisht, u sulmua personalisht. Të njëjtët që i këndonin ditën, i ngrinin kurthe natën. Të njëjtët që e shpallnin armik, më pas e shpallnin themelues. Nano i njohu të gjithë: ata që i shitën besnikërinë për një karrige, ata që u ushqyen me intrigë dhe ata që në emër të moralit mbillnin baltë.Por ai nuk i përngjante askujt prej tyre. Nano nuk e njihte hakmarrjen. Ai njihte ironinë, dhe e përdorte si armë të mendjes. U largua nga pushteti me dinjitet, pa britma, pa viktimizim, pa tentuar të mbahej pas karriges. Dhe në këtë vend ku të gjithë duan të rrinë gjatë, ai dha mësimin më të bukur të politikës: të dish të ikësh në kohë.Sot, kur emri i tij përmendet në ditën e ikjes drejt amshimit, shfaqen përsëri ata që nuk respektojnë as vdekjen. Vjellin vrer, mallkojnë, sulmojnë edhe përtej kufirit njerëzor. Kjo nuk është politikë – është humbje e shpirtit. Sepse institucioni i vdekjes është më i larti që njeh njerëzimi. Përpara tij duhet heshtur, reflektuar dhe përulur. Kush nuk respekton vdekjen, nuk ka respekt as për jetën.Fatos Nano nuk ka nevojë për lavdi të vonuar. Historia do t’ia japë vetë. Ai mbetet figura që urën midis djeshmes dhe nesërmes, midis dogmës dhe lirisë, midis ideologjisë dhe modernitetit. Ishte njeriu që i dha politikës shqiptare një pamje evropiane, që guxoi të buzëqeshte ndaj fatit dhe të sfidonte çdo paragjykim.Në fund, Nanon mund ta duash ose ta urresh, por s’mund ta injorosh. Sepse ai ishte më shumë se një politikan: ishte ide, mendim, frymë. Dhe kur të tjerët përpiqen ta zbehin, drita e arsyes që ai solli, mbetet aty – për të kujtuar se madhështia nuk qëndron në pushtet, por në kulturën e shpirtit.

Te tjera

Lajme te tjera