Shqiptarë nga 38 vende të botës u mblodhën në Tiranë në edicionin e katërt të Samitit të Diasporës, ku u vlerësua roli kyç i tyre jo vetëm në rindërtimin e së ardhmes, por edhe në rrugën drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Duke e quajtur zgjatim të Shqipërisë në botë, kryeministri Edi Rama tha se diaspora sot nuk është më një histori ikjeje e largimi të dhimbshëm, por një histori e shumëfishimit të forcave të kombit shqiptar dhe një urë që rrit kontributin dhe vlerën e Shqipërisë në botë.
“Shqipëria jeton kudo ku shqiptarët mbajnë gjuhën, kujtesën, shpresën kokëfortë dhe ndjenjën e pathyeshme të përkatësisë së tyre kombëtare. Ajo që dikur dukej si hendek, sot është bërë urë. Sot, Diaspora shqiptare nuk është më një histori ikjeje, ajo është një histori e shumëfishimit të forcave të kombit shqiptar dhe vlerës së shtuar të Shqipërisë”, tha Rama.
Shefi i qeverisë u ndal tek transformimi që ka pësuar Shqipëria ndër vite, jo vetëm në zhvillimin ekonomik, por edhe në imazhin e saj në arenën ndërkombëtare. Nga një vend kur nuk dihej ku binte në hartë, sot Shqipëria, tha Rama, është një emër që flet në të gjitha gjuhët e botës. Kryeministri i tha se diasporës, se atdheu i tyre është kthyer në një kantier të madh transformimesh që u bën thirrje për investime dhe nuk kujtohet për ta vetëm për “indulgjencë monetare”.
“Diaspora shqiptare nuk është në periferi të jetës kombëtare të Shqipërisë, por në qendrën e saj. Shqipëria sot nuk është më vendi që i kërkon diasporës kujtesë dhe indulgjencë monetare. Ky vend është një kantier i madh transformimesh që e fton diasporën në pjesëmarrje; pjesëmarrje në investime, pjesëmarrje në inovacion dhe në jetën akademike, pjesëmarrje në ndërtimin e së ardhmes së Shqipërisë”, vijoi kryeministri.
Partia Socialiste, tha Rama, e ka përmbushur zotimin për votën e diasporës, e cila u implementua për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës.
“Sot ju vini këtu, pasi e keni ushtruar atë të drejtë në zgjedhjet e vitit të shkuar, nga një e drejtë e kërkuar në një të drejtë të ushtruar.; nga një zë që kërkohej të dëgjohej në një zë që tanimë është pjesë e vendimmarrjes popullore për udhëheqjen e këtij vendi”, u shpreh Rama.
Sot Shqipëria nuk e ka më as vulën e “damkosjes” nga BE si atdheu i pandëshkueshmërisë. Rama tha se ishte vetë kjo forcë qeverisëse që besoi te një drejtësi e pavarur dhe i dorëzoi shpatën me vullnet të plotë.
“Sot pandëshueshmëria është një mit i të kaluarës në Shqipëri dhe sot Shqipëria është vendi ku askush nuk është mbi ligjin dhe drejtësia është e pavarur siç nuk ka qenë qysh në krye të herës nga 1912 deri kur ne me vullnet të plotë i dorëzuam asaj shpatën që i takon vetëm duarve të saj për të bërë drejtësi të barabartë për të gjithë dhe pa kursyer askënd”, vijoi kryeministri.
I bindur se shqiptarët e diasporës e dinë më mirë se kushdo se nuk ka rrugë pa sfida, Rama u bëri thirrje që të rilidhen jo vetëm emocionalisht, por edhe në mënyrë aktive me Shqipërinë, duke i ftuar të bëhen pjesë e projektit të madh kombëtar drejt integrimit europian. Ai theksoi se ky është një mision dhe një projekt i madh sa amaneti i të parëve, “që e kërkon Shqipërinë dhe kombin shqiptar patjetër në tryezën e Unionit”.
“Një ftesë për të qenë pjesë e pikërisht një projekti të madh kombëtar, i cili është më i madh se çdo qeveri, është më i madh se çdo cikël politik është më i madh se çdo brez i vetëm sepse është i madh sa amaneti i gjithë atyre që nga Gjergj Kastrioti te Ismail Qemali e me radhë tek heronjtë, martirët, dëshmorët shqiptarë në të gjitha trojet ku shqiptarët jetuan, jetojnë, lindin fëmijë dhe projektojnë të ardhmen, një amanet që e kërkon Shqipërinë dhe kombin shqiptar patjetër në tryezën e përbashkët të asaj familjeje, ku më në fund ne po bëhemi gati të jemi pjesë e pa ndarë”, theksoi Rama.
Punimet e Samitit të Diasporës do të vijojë për dy ditë në Pallatin e Kongreseve me 18 panele të ndryshme.
