Deputetja e PD Zheni Gjergji, ka folur sa i përket pandemisë në vend. Me anë të një postimi në rrjetet sociale ajo u shpreh, se shifrat që raportohen nga Covid-19 nuk janë reale. Sipas saj, ministria e Shëndetësisë nuk ka të dhëna të sakta edhe mbi numrin e personave që kanë kaluar Covid.“Shqipëria deklaron pranë OBSH se që nga 3 Janari 2020 deri në 25 Shkurt 2022, 270 947 raste me Covid 19; 3457 vdekje dhe 2 707 658 doza vaksina të aplikuara. Kjo situatë nuk është reale pasi gjatë gjithë periudhës së kësaj pandemie Shqipëria ka pasur numër të ulët të të testuarve. Gjithashtu ISHP dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale nuk ka të dhëna të sakta për numrin e saktë të popullsisë që ka kaluar Covid si dhe nuk ka shpjeguar numrin e madh të vdekjeve të deklaruara në 2021. Shqipëria mbylli vitin 2021 me 30 580 vdekje, shifra më e lartë në shumë dekada dhe një shifër rreth 40 për qind më e lartë sesa mesatarja shumë vjeçare e periudhës para pandemisë së koronavirusit të ri”, tha ajo.
Ndër të tjera, Gjergji u shpreh se ka një rezistencë të popullsisë për tu vaksinuar. Ajo theksoi, se ministria nuk pranon numrin e lartë të vdekjeve.“Ne si përfaqësues të opozitës edhe pse gjithmonë kemi mbështetur vaksinimin e popullsisë me vaksina të sigurta dhe kemi ofruar mbështetjen tonë duke votuar pro për blerjen e vaksinave Pfizer sot kur në gjithë Europën po vlerësohet një ulje e numrit të personave të infektuar me Covid 19, po hasim në një rezistencë të popullatave për vaksinim duhet të kemi një vlerësim të gjendjes së situatës epidemiologjike në vend, dhe të kemi një pasqyrë të plotë për gjendjen e vaksinave që disponojmë aktualisht në vend. Si gjithmonë është bërë praktikë që ne si anëtarë të komisionit të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale nuk kemi asnjë informacion paraprak për të vlerësuar e për të dhënë një opinion e vendim të saktë në lidhje me këtë çështje kaq të ndjeshme e të rëndësishme për popullatë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk e pranoi realitetin që i dhemb gjithë familjeve shqiptare duke mohuar numrin e lartë të humbjeve të jetës dhe koston e lartë financiare me të cilën shqiptarët përballuan e po përballojnë Covid -19 dhe pasojat e tij”, tha ajo.