Ambasadorja e Izraelit në vendin tonë, Galit Peleg ka komentuar zhvillimet e fundit sa i përket luftës në Lindjen e Mesme dhe rrezikun e Iranit për vendet e tjera.
Në një intervistë për Euronws Albania, Pelge ka deklaruar se nuk është në dijeni për ndonjë kërcënim konkret ndaj Shqipërisë. Sipas saj, i vetmi vend europian që ndodhet më në rrezik është Britania, për shkak të celulave terroriste që Irani ka në këtë vend.
“Shqipëria është aleat i ngushtë i Izraelit, ne kemi bashkëpunim të ngushtë dhe, nëse do të ketë ndonjë kërcënim, sigurisht ne do t’i informojmë autoritetet shqiptare”, theksoi ambasadorja në fjalën e saj.
Po ashtu, diplomatja ka paralajmëruar autoritetet shqiptare, që pavarësisht, mungesës së një rreziku, Shqipëria duhet të tregohet e kujdesshme dhe vigjilente.
Galit Peleg: Sa i përket kërcënimit për Shqipërinë, nuk jam në dijeni të ndonjë kërcënimi konkret ndaj Shqipërisë. Nuk mund të them se Shqipëria është në fokus, por për këtë mund të pyesni Mojtaba Khameney. Ndoshta Britania ka kërcënim konkret për sulme me raketa, por nuk dihet gjë për format e tjera, pasi ky regjim ka organizuar celula terroriste në Evropë. Siç e thashë, përbën kërcënim për të gjithë Evropën dhe gjithë botën, por për një kërcënim konkret për Shqipërinë nuk di të ketë. Shqipëria është aleat i ngushtë i Izraelit, ne kemi bashkëpunim të ngushtë dhe, nëse do të ketë ndonjë kërcënim, sigurisht ne do t’i informojmë autoritetet shqiptare.
Por më lejoni të shtoj diçka, që nga fillimi i kësaj lufte, por edhe më parë, si ambasadore, kemi pasur një bashkëpunim të mrekullueshëm me Policinë Shqiptare dhe Ministrinë e Brendshme. Ky bashkëpunim është në çdo nivel dhe mendoj se është rasti t’ju falenderoj për sigurinë time dhe stafin tim.
Diplomatët izraelitë janë gjithmonë me rrezik. Sa i përket rrezikut në Shqipëri, për fat të mirë nuk ka pasur ndonjë incident, dhe kjo falë bashkëpunimit mes forcave tuaja të sigurisë. Ne besojmë që kurrë të mos ndodhë diçka, por rreziku ekziston. Pak ditë më parë ishte përvjetori i bombardimit të Buenos Aires, që u krye nga një fraksion i Hezbollahit, i mbështetur nga shteti iranian, por ka pasur edhe raste të tjera që janë parandaluar falë bashkëpunimit me autoritetet vendase. Por këto janë gjërat që njerëzit e thjeshtë nuk i shohin.
Në një vend miqësor, siç është Shqipëria, une nuk shoh kërcënime, por duhet të tregohemi të kujdesshëm, pasi armiqtë janë kudo. Prandaj, të shpresojmë që situata në Shqipëri të mbetet e sigurt, por duhet të jemi vigjilentë.
