E hënë, 17 Gusht, 2026

Franca ul me këmbë në tokë dhe u jep fund ëndrrave të Marokut për të fituar Kupën e Botës, të dielën në finale me Argjentinën e Lionel Mesit

Share

Gjysmëfinalja midis Francës dhe Marokut pritej me shumë interes nga sportdashësit në mbarë botën, jo vetëm se Franca është kampione në fuqi e Kupës së Botës, por edhe se Maroku kishte tejkaluar çdo parashikim me arritjen deri në këtë fazë të Botërorit të Katarit, e para skuadër afrikane që arrin deri në gjysmëfinale. Por ndryshe nga ndeshjet e tjera ku mbrojtja e Marokut e niste dhe e mbyllte ndeshjen hermetikisht e pa pasoja, mbrëmë zhgënjeu që në minutën e 5-të, pasi francezët gjetën shpejt golin. Një sulm në qendër i spostuar në të majtë gjen zbuluar Teo Hernandezin që bën një gjuajtje nga gjysmëlartësia me të majtën dhe shënon për Francën, 1-0. Goli i pësuar i shokoi marokenët që e humbën atë disiplinën e famshme në rreshtim, gjë që solli daljen dy herë para portierit Zhirudin, por shtatlarti i sulmit francez goditi vetëm në një rast shtyllën e djathtë pingule në të 16’. Në të 35’ Franca pati sërish shans me Mbape, e më pas me Zhirud, por gjuajtjet e tyre ishin pa fat, përfundojnë jashtë. Në minutën e 45-të, Jamik bën një roveshatë të shkëlqyer dhe godet shtyllën pingule franceze, por lojtarët e tjerë s’arrijnë ta shtyjnë në rrjetë. Pjesa e parë mbyllet 1-0 për Francën.

Në pjesën e dytë Maroku e shtoi ndjeshëm forcën sulmuese dhe arriti të krijonte raste, por marokenëve u mungoi qartësia në pasimin e fundit dhe në finalizim. Franca ishte gjithmonë një hap para në kapjen e topit të parë dhe në pasimin e gjatë. Loja bëhet e fortë dhe interesante në mesfushë, por edhe me ndërhyrje të ashpra. Por në një aksion të gjatë me protagonist Mbape, që driblon disa lojtarë, topi në mënyrë karamboleske përfundon në të djathtë të sulmit, pikërisht tek Kolo Muani që shënon golin e dytë për Francën në minutën e 79-të. Ky gol e demoralizoi krejtësisht Marokun, ndërsa i siguroi përfundimisht Francës kalimin në finale. Në fakt, minutat e fundit ishin një tension i vërtetë tek marokenët, që bënë shumë gabime në pasime, por francezët e kontrollonin me qetësi lojën e tyre dhe nervat e kundërshtarit.  Maroku tentoi deri në fund për një gol nderi por nuk ia doli. Fitoi Franca 2-0 dhe do të gjejë në finale Argjentinën, ndeshje që do të luhet të dielën më 18 dhjetor. Kurse të shtunën më 17 dhjetor Maroku do të luajë me Kroacinë për vendin e tretë. Dy ndeshjet e mbetura luhen në orën 16:00.

Te tjera

Lajme te tjera