E hënë, 17 Gusht, 2026

Berisha: Vendi është totalisht në duart e krimit! Lamallari mashtron qytetarët, Ylli Zalla u dorëzua vetë

Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, në konferencën me gazetarët ditën e sotme, akuzoi qeverinë Rama se ka humbur kontrollin mbi situatën e rendit dhe sigurisë në vend, duke e cilësuar Shqipërinë si një vend “në duart e krimit”.

Berisha u ndal te ngjarjet e fundit në Sarandë dhe Elbasan, duke akuzuar Policinë dhe Ministrinë e Brendshme për menaxhim të dobët të situatës. Ai kritikoi edhe mënyrën e trajtimit të rastit të Ylli Zallës, duke theksuar se ai nuk ishte arrestuar, por ishte dorëzuar vetë.

Një pjesë të rëndësishme të deklaratës së tij lideri demokrat ia kushtoi zjarreve në vend dhe gjendjes së zjarrfikësve. Berisha akuzoi qeverinë për mungesë mbështetjeje ndaj punonjësve që përballen me flakët, ndërsa kritikoi ministrat dhe kryeministrin Rama për qëndrimin e tyre gjatë sezonit të zjarreve.

Kryedemokrati, Sali Berisha denoncoi gjithashtu sulmet ndaj protestuesve, duke akuzuar qeverinë dhe Tom Doshin për ndërhyrje ndaj lëvizjes qytetare. Ai u bëri thirrje demokratëve të marrin pjesë në protestat qytetare jashtë strukturave partiake.

Në konferencë, Berisha foli edhe për çështjen e Arubës, duke akuzuar qeverinë dhe institucionet e drejtësisë për fshehjen e emrave të zyrtarëve që kanë qenë të pranishëm atje. Ai theksoi akuzat ndaj SPAK-ut, të cilin e cilësoi si bashkëpunëtor të karteleve të drogës.

Kryetari i PD, Sali Berisha kritikoi gjithashtu projektin për reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, duke e konsideruar atë një përpjekje për centralizimin e pushtetit. Ai akuzoi kryeministrin Rama për trajtim diskriminues ndaj kryetares së Bashkisë Dimal dhe e cilësoi këtë si një akt “mizogen”.

Në fund, lidhur me përgatitjet për zgjedhjet lokale dhe mundësinë e zhvillimit të primareve, Berisha tha se vendimet do të merren në kohën e duhur, ndërsa theksoi se përcaktimet statutore të PD-së mbeten në fuqi dhe forma e procesit do të vendoset nga forumet e partisë.

Te tjera

Lajme te tjera