E premte, 31 Korrik, 2026

Reforma Territoriale u prit me kundërshtime të forta, PS nuk tërhiqet: Drafti do të miratohet para zgjedhjeve të vitit 2027

Share

Teksa drafti i PS për Reformën Territoriale është pritur me kritika dhe kundështime të forta, bashkëkryetari socialist i Komisionit të Posaçëm për Reformën, Arbjan Mazniku, ka dalë në një konferencë për mediat ditën e sotme për të qetësuar sadoapak zërat që që kanë dalë kundër.

Sipas tij, ndryshimet territoriale duhet të miratohen përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027, në mënyrë që Shqipëria të hyjë në procesin zgjedhor me një sistem dhe hartë të re administrative.

Ai theksoi se një nga objektivat kryesore të reformës është forcimi i bashkive, përmes strukturave më funksionale dhe më të qëndrueshme ekonomikisht.

“Që kur është krijuar komisioni, afatit i punës së tij ka qenë nëntëmujor dhe dihej se mandati i tij përfundonte në mes të korrikut. Së dyti, në muajin maj të 2027, Shqipëria do ketë zgjedhje vendore, në të cilat duhet të hyjmë me një sistem të ri dhe me një hartë të re territoriale, në mënyrë që të përballemi me ato sfida, që Shqipëria i ka përpara. Pjesë e sfidës që ne kemi përpara është të forcojmë bashkitë tani, të futemi në zgjedhjet e ardhshme me bashki me struktura më të afta ekonomikisht, më të afta funksionalisht”, tha ai.

Ai theksoi se bashkitë e vendit duhet të kthehen në institucione, të cilat krijojnë mundësi të shtuara për zhvillimin ekonomik të tyre.

“Bashkitë duhen të kthehen në institucione për zhvillimin ekonomik”, theksoi Mazniku.

Në draftin e PS, risi është edhe krijimi i një organizimi të ri vendor, që do të quhet “qyteti” dhe do të ketë një status të veçantë ligjor, duke e organizuar vendin në 71 qytete dhe 387 njësi administrative. Ndërsa numri i qarqeve mbetet i pandryshuar, po 12.

Ai theksoi se në këtë draft nuk është marrë për bazë interesi politik i Partisë Socialiste, siç pretendon Partia Demokratike. Sipas Maznikut, thelbi i gjithë këtij propozimi është rritja e eficecës ekonomike të bashkive.

“Unë po them, që elementi politik është një element, i cili nuk është futur fare në këtë diskutim. PS sot ka 55 nga 61 bashki të vendit. Këtu kemi të bëjmë me një synim për të përmirësuar në mënyrë maksimale eficencën e funksionalitetit të këtyre”, shtoi ai.

Te tjera

Lajme te tjera