E shtunë, 1 Gusht, 2026

Prokurimet publike/ Rama: Jemi lider në rajon, Jonaid Myzyri u bë target balte, por hetimet e nxorën pa faj! Diella s’po fle, së shpejti prokurime me AI

Share

Shqipëria është e para në rajon, në prokurimet publike”, tha kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp ku u fol për pozicionimin e Shqipërisë në negociata referuar kapitullit numër 5, atij të ‘Prokurimeve publike.

Shefi i qeverisë bëri dhe një krahasim me vendet anëtare të BE, referuar një raporti të hartuar nga Gjykata Evropiane e Llogarive për vendet e BE ku flitej për një ulje të nivelit të konkurrencës për kontratat publike, për mungesë ndërgjegjësimi se konkurrenca është parakusht i BE apo edhe pjesëmarrja në nivele të pakënaqshme.

“Nëse e vendosim në kontekst pozicionin e vendit tonë në indikatorët thelbësorë që përcakton BE-ja për konkurrueshmërinë, nëse në mesatare kontratat me një ofertues përbëjnë 32.3% të kontratave në vendet e BE-së, për Shqipërinë ato janë 23.5%. Edhe në numrin e ofertuesve për procedurë, që raporti e përcakton si 3.2 ofertues për procedurë në mesataren e BE-së, Shqipëria është në 3.7 ofertues mesatarisht. Më tutje, në Shqipërinë e vitit 2025, numri i prokurimeve publike që janë mbyllur me fitues dhe me 1 ofertues është 12%, ndërsa mesatarja e BE-së është 14%. Shqipëria është në një fazë të avancuar të përparimit në këtë fushë dhe të pozicionimit në tryezën e negociatave në BE”, tha ndër të tjera Rama.

Rama foli për herë të parë edhe për rastin e kreut të KPP, Jonaid Myzyri. Ky i fundit u mor nën hetim nga SPAK për dyshime për të barazisë në tenderë, por pas hetimeve Prokuroria e Posaçme ka kërkuar pushimin e hetimeve. Ndonëse nuk e përmendi me emër, Rama tha se u hodh baltë ndaj personit transformoi Prokurimet Publike.

“Njeriu që transformoi prokurimin publik u bë target i baltës, pasi për arsye siç ndodh me një shtet me drejtësi të pavarur, u mor nën hetim, si rezultat i hetimit rezultoi pa lidhje me asnjë lloj faji apo problemi. Por, balta që iu hodh iu hodh për të shkatërruar personalisht dhe familjarisht, e bëri të vetën dhe nuk më ka rënë në sy asnjë lloj reflektimi apo kërkese ndjese nga askush lidhur me atë që i bënë atij njeriu”, tha Rama.

Ashtu siç ishte lajmëruar që në linçimin e saj të parë, së shpejti ministria për Inteligjencën Artificiale do të marrë në dorë prokurimet publike.

“Mund të jetë krijuar një opinion sikur Diella bën punën që ka bërë më parë dhe fle. Tani jemi në një fazë të re të procesit, pasi janë hartuar gjatë kësaj periudhe 450 faqe specifikime teknike të detajuara, për të cilat kanë punuar ekspertë vendas, dhe këto faqe janë vënë më pas në shqyrtimin e Bankës Botërore, e cila ka dhënë pak ditë më parë dritën jeshile pa kundërshtime. Tani jemi gati të kalojmë në fazën e ndërtimit të një sistemi të prokurimit elektronik me AI”, tha Rama.

Kryeministri Rama theksoi se nuk ka bllokim negociatash e as të raportit të IBAR. Çdo pretendim tjetër, Rama e konsideron si një lajthitje të opozitës, që çoi deri në daljen e militantëve të Berishës nëpër protesta me flamujt gjermanë në krahë.

“Është tërësish brenda parashikimeve, nuk ka asgjë nga çfarë i është rrokanisur koka popullit shqiptar. Që çoi deri në dalje e flamujve të Gjermanisë në krahët e molotovarëve”, tha Rama.

Te tjera

Lajme te tjera