Në ditën e Europës, në fjalën e mbajtur para të pranishmëve kryeministri Edi Rama solli në vëmendje arritjet e Shqipërisë të bëra vitet e fundit për në rrugëtimin e sigurt drejt BE-së.
Duke u ndalur te data e sotme, 9 maj, kreu i qeverisë shqiptare tha se është një ndër ditët më të rëndësishme edhe për shqiptarët.
“9 Maji i Evropës është një prej atyre datave të rëndësishme. Një ditë që lindi nga hiri i një zjarri shkatërrimtar. Kjo që jetojmë sot nuk është kohë e mirë për Evropën dhe botën, është një kohë e vranët si dita sot, ku tundimi për t’u mbyllur brenda mureve është i fortë dhe kur dielli duket sikur s’ka ndërmend të rikthehet” tha Rama në fjalën e tij.
Po ashtu, kryeministri komentoi dhe integrimin e Shqipërisë në Europë, që e cilësoi si një nga momentet më me peshë pasi shqiptarët po jetojnë në një periudhë kur ata nuk i frikësohen më mbylljes dhe distancës së largët nga Europa.
“Kjo është koha kur, më shumë se kurrë, libri i historisë së Evropës është aty për t’i ardhur në ndihmë kujtdo që do të kujtojë se çfarë nuk duhet bërë: mbyllja brenda mureve, frika dhe pesimizmi, humbja e besimit tek projekti madhështor i Evropës së bashkuar dhe vlerat e saj ndjellin keq, jo thjesht për Evropën dhe BE-në, por për çdo popull dhe çdo shtet evropian” shtoi më tej kreu i qeverisë shqiptare.
Duke sjellë në vëmendje se Europa për Shqiptarët ishte e “prekshme” vetëm përmes ekraneve televizive, Rama theksoi se tani vendi ynë jeton në një tjetër realitet pasi, BE është tashmë një tokë e premtuar dhe mision i pandryshueshëm politik.
Fjala e plotë e Edi Ramës: 9 Maji i Evropës është një prej atyre datave të rëndësishme. Një ditë që lindi nga hiri i një zjarri shkatërrimtar. Kjo që jetojmë sot nuk është kohë e mirë për Evropën dhe botën, është një kohë e vranët si dita sot, ku tundimi për t’u mbyllur brenda mureve është i fortë dhe kur dielli duket sikur s’ka ndërmend të rikthehet.
Kjo është koha kur, më shumë se kurrë, libri i historisë së Evropës është aty për t’i ardhur në ndihmë kujtdo që do të kujtojë se çfarë nuk duhet bërë: mbyllja brenda mureve, frika dhe pesimizmi, humbja e besimit tek projekti madhështor i Evropës së bashkuar dhe vlerat e saj ndjellin keq, jo thjesht për Evropën dhe BE-në, por për çdo popull dhe çdo shtet evropian.
Për ne Shqiptarët, Europa mbetet edhe në këtë kohë të vranët ajo që ka qenë kur nuk ishte dot e arritshme, përveç se mes atyre valëve të dobëta që ekranet ilegale sillnin nga jashtë Shqipërisë në ekranet e televizorëve. Europa për në mbetet një ëndërr dhe tokë e premtuar, amanet i pajetërsueshëm kombëtar dhe mision i pandryshueshëm politik. Jo se ne jemi naivë, as se ne kemi iluzione, por se ne e dimë fort mirë, më mirë se sa kush do tjetër në këtë kontinent se çfarë do të thotë të jetosh i izoluar dhe i rrethuar me mure për t’u mbrojtur nga Europa.
