E premte, 8 Maj, 2026

Drafti/ Ndryshimet e PS për Kodin Rrugor: Shoferët ‘përsëritës’ që kapen me alkool mbi 0.5 gr/l në gjak u hiqet patenta përjetë! Ashpërsohen masat për drejtuesit e rinj

Share

Nisur nga aksidenti tragjik në Durrës, deputetët e PS, Ulsi Manja dhe Taulant Balla kanë propozuar disa ndryshime në Kodin e ri Rrugor.

Në propozimet e deputetëve të PS, një prej ndryshimeve është edhe heqja e patentës përgjithmonë nëse ndalohesh në timon për herë të dytë nën efektin e alkoolit.

“11.1 Kur nga verifikimet e parashikuara në pikat e këtij neni rezulton një vlerë alkoolike më e lartë se 0,5 gram për litër (g/l) në gjakun e drejtuesit të mjetit dhe ky drejtues është konstatuar e ndëshkuar më parë për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur, në rast përsëritjeje merret masa e heqjes së lejes së drejtimit përgjithmonë”, thuhej në propozim.

Ndryshimet parashikojnë masa më të ashpra për drejtuesit e mjeteve, veçanërisht për shoferët e rinj, personat që drejtojnë automjetin pa patentë dhe ata që kapen në timon nën efektin e alkoolit.

Sipas amendamenteve, çdo person që kapet duke drejtuar mjetin pa patentë nuk do të mund të pajiset me leje drejtimi për një periudhë 1-vjeçare, përveç përgjegjësive që parashikon legjislacioni penal në fuqi.

Për të miturit që kapen në timon pa e marrë kurrë patentën, masa bëhet edhe më e ashpër. Ata nuk do të mund ta marrin patentën në moshën 18-vjeçare, por vetëm pasi të mbushin 20 vjeç.

Një tjetër ndryshim lidhet me drejtuesit e rinj të mjeteve. Gjatë vitit të parë të patentës, shoferët do të duhet të kenë tolerancë zero ndaj alkoolit gjatë drejtimit të automjetit. 


Ndryshimet e propozuara:

Neni 6

Në nenin 127, pika 3.1, bëhet ndryshimi si më poshtë:

Pas togfjalëshit “shkelur.” hiqet fjalia “I njëjti rregull aplikohet edhe për lejet e drejtimit të lëshuara nga shteti shqiptar në rastin kur kundërvajtësi jep pëlqimin.”

Neni 7

Në nenin 139 bëhen këto ndryshime:

Në pikën 5, pas togfjalëshit “shpejtësi” shtohen fjalët “duke sjellë rrezik serioz për përdoruesit e rrugës, sidomos në zonat urbane, përfshirë manovrat agresive, ndryshimet e shpeshta të korsisë pa sinjalizim dhe sjelljet jo sociale në rrugë”.

Në pikën 7 bëhet ndryshimi si më poshtë:

Pas togfjalëshit “tërheqëse” hiqen fjalët “të barrës dhe të shalës”.

Në pikën 8 bëhet ndryshimi si më poshtë:

Masa e gjobës “nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë” bëhet “nga njëzet mijë deri në gjashtëdhjetë mijë lekë”.

Para nenit 5 të projektligjit shtohen nenet 9 dhe 10 me këtë përmbajtje, ndërsa neni 5 rinumërohet neni 11: Neni 9

Titulli i nenit 171 ndryshohet nga “Përdorimi i syzeve optike dhe i aparateve të tjera gjatë drejtimit të mjetit” në “Përdorimi i aparateve telefonike dhe i pajisjeve digjitale të komunikimit, i syzeve optike dhe i pajisjeve të tjera gjatë drejtimit të mjetit”.

Në nenin 171, pas pikës 2 shtohen pikat 2.1 dhe 2.2 me këtë përmbajtje:

“2.1 Ndalohet gjithashtu përdorimi i telefonit celular të mbajtur me dorë gjatë drejtimit të mjeteve të tjera, përfshirë biçikletat, motomjetet deri në 50 ç dhe monopatinat me motor.

2.2 Mbajtësi i lejedrejtimit të mjetit, të cilit gjatë lëshimit ose rinovimit të lejedrejtimit i është vendosur kushti për korrigjimin e të metave organike ose të aftësive të ulëta anatomike a funksionale nëpërmjet syzeve optike ose aparateve të tjera të caktuara, është i detyruar t’i përdorë ato gjatë drejtimit të mjetit.”

Në pikën 4, pas togfjalëshit “neni”, fjalët “tre herë brenda të njëjtit vit” zëvendësohen me fjalët “dy herë brenda të njëjtit vit”.

Neni 10

Në nenin 184, pas pikës 11 shtohet pika 11.1 me këtë përmbajtje:

“11.1 Kur nga verifikimet e parashikuara në pikat e këtij neni rezulton një vlerë alkoolike më e lartë se 0,5 gram për litër (g/l) në gjakun e drejtuesit të mjetit dhe ky drejtues është konstatuar e ndëshkuar më parë për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur, në rast përsëritjeje merret masa e heqjes së lejes së drejtimit përgjithmonë.”

Te tjera

Lajme te tjera