Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, prezantoi sot një qasje të re në komunikimin institucional me median dhe qytetarët, ku theksoi rëndësinë e transparencës dhe informacionit të saktë.
Gjatë një konference për mediet, Hita deklaroi se Policia e Shtetit po hap “një kapitull të ri” në mënyrën e informimit publik, duke synuar rritjen e besimit mes qytetarëve dhe institucioneve të rendit. Sipas tij, ndryshimet vijnë pas një reflektimi mbi reagimet e publikut dhe ndikimin që kanë lajmet mbi ngjarjet kriminale në perceptimin e sigurisë.
“Ky vendim nuk vjen rastësisht, por është rezultat i një reflektimi serioz mbi reagimet e shumta të qytetarëve, të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre për impaktin negativ që krijon në shoqëri, mënyra se si përcillen çdo ditë lajmet mbi ngjarjet kriminale, dhe për shumë lajme që ne japim nga çdo qark, në përmbledhjet ditore. Policia e Shtetit do të zbatojë një formë të re komunikimi, më të përgjegjshme, më të strukturuar dhe në përputhje me modelet më të mira evropiane”, tha ai.
Hita nënvizoi se qëllimi nuk është kufizimi i transparencës, por përmirësimi i cilësisë së informacionit të dhënë për publikun, duke shmangur informacionet e fragmentuara apo të pakonfirmuara.
“Dua ta theksoj qartë, kjo nuk është një tërheqje nga transparenca, përkundrazi, është një hap përpara drejt një transparence më cilësore dhe më profesionale, sepse ne besojmë se qytetarët nuk kanë nevojë vetëm për më shumë informacion, por për informacion të saktë, të verifikuar dhe të përgjegjshëm, për informacion të matur që të mos ndikojë te perceptimi negativ dhe te kriminalizimi i shoqërisë”, tha ai.
Sipas Hitës, risitë kryesore përfshijnë publikimin e plotë të statistikave mujore dhe vjetore mbi kriminalitetin në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit, si dhe informim më të shpejtë nga strukturat policore në terren për ngjarjet në zhvillim. Gjithashtu, drejtuesit vendorë të policisë do të zhvillojnë konferenca periodike për të raportuar mbi punën dhe sfidat në çdo qark.
“Çfarë ndryshon konkretisht me formën e re të komunikimit? Së pari, të gjitha të dhënat statistikore mujore dhe vjetore mbi kriminalitetin dhe sigurinë publike do të jenë të aksesueshme në mënyrë të plotë në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit. Së dyti, për ngjarjet në dinamikë, titullarët e Policisë në vendngjarje do të japin informacionin e nevojshëm për mediat dhe publikun, në kohë reale dhe të shoqëruar dhe me informacionin paraprak nga zëdhënësi i Policisë. Kjo praktikë tashmë ka nisur dhe do të konsolidohet më tej”, tha ai.
“Së treti, drejtuesit e drejtorive vendore të Policisë, me stafet e tyre, do të zhvillojnë konferenca mujore për të bërë transparente punën, rezultatet dhe sfidat në çdo qark. Së katërti, për ngjarje me ndikim të lartë publik apo operacione të rëndësishme policore, Policia e Shtetit do të informojë në kohë dhe në mënyrë të plotë, nëpërmjet kanaleve zyrtare”, tha ai.
Hita theksoi se për ngjarjet me rëndësi të lartë publike, Policia e Shtetit do të përdorë kanalet zyrtare për të siguruar informim të plotë dhe në kohë reale.
Ai shtoi se synimi i këtyre ndryshimeve është të forcohet besimi i qytetarëve te Policia e Shtetit dhe të shmanget krijimi i perceptimeve të shtrembëruara mbi nivelin e sigurisë në vend.
“Mbingarkesa me lajme kriminale, shpesh të dhëna në mënyrë të fragmentuar apo të nxituar, krijon një ndjenjë pasigurie që jo gjithmonë pasqyron realitetin. Informacioni i pakonfirmuar dëmton jo vetëm hetimet, por edhe besimin e qytetarëve te institucionet. Policia e Shtetit nuk është vetëm kronikë krimi, por ajo është çdo ditë në terren për parandalimin, për bashkëpunimin me komunitetin, për takimet me këshillat e sigurisë, si dhe për edukimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve. Këto janë vlera që duhet të komunikohen po aq fort sa edhe lufta kundër krimit”, tha ai.
“Kjo konferencë nuk duhet parë thjesht si një komunikim periodik me median, por si pjesë e një standardi të ri institucional, ku informimi publik do të jetë më i plotë, më i drejtpërdrejtë dhe më pranë shqetësimeve reale të qytetarëve. Ne jemi të vetëdijshëm se sfidat përballë rendit dhe sigurisë janë të shumta, por po aq i vendosur është edhe angazhimi ynë për t’i përballuar ato me seriozitet dhe profesionalizëm. Qëllimi im është i qartë, të ndërtojmë një komunikim që informon, por nuk alarmon, që është transparent dhe i përgjegjshëm, që forcon besimin dhe jo pasigurinë”, tha drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
