Ilir Meta do të vazhdojë të qëndrojë në qeli deri në përfundim të gjykimit. Gjykata e Posaçme e Apelit nuk ka pranuar kërkesën e tij për zëvendësim të masës së sigurisë, në një masë më të butë, pavarësisht garancisë pasurore.
Përmes avokatit të tij mbrojtës, Ilir Meta është shprehur i gatshëm për të lënë 50 milionë lekë si garanci pasurore, në mënyrë që gjatë periudhës deri në fund të gjykimit, të mos jetë në paraburgim por në “Arrest në shtëpi”.
Më herët, në muajin Mars 2026 para se të niste gjykimi me themel, Ilir Meta kërkoi përmes avokatit të tij Kujtim Cakrani që të dilte nga qelia. Gjykata e Posaçme e rrëzoi, ndaj ish-presidenti i është drejtuar me një kërkesë të dytë.
Kjo është hera e dytë brenda rreth dy muajsh që ish-Presidenti i Republikës kërkon të lërë 50 milionë lekë të vjetra garanci në gjykatë, në këmbim të lirisë, duke këmbëngulur se nuk do të arratiset.
Kujtojmë se Gjykata e Posaçme vendosi në 18 Mars që të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të tij, ish bashkëshortes Monika Kryemadhi, nënës së kësaj të fundit Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixhos dhe Ema Çoku.
Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit 2024. Ish-presidenti po hetohet për 3 çështje aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror. Aktualisht SPAK ka mbyllur hetimet dhe dosja e tij është dërguar për gjykim.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
