1 vit e gjysmë pas paraburgosjes së tij, ish-presidenti i Republikës, ish-kryeministër dhe ish-kryetar i Kuvendit, sot 57-vjeçar, u shfaq për pak minuta, me zë e figurë, në seancën e parë të gjyqit në themel, kundër tij, ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi dhe 3 të pandehurve të tjerë.
Transformimi i tij fizik, i dukshëm. Para se seanca të çelej, nga kafazi i qelqtë, bëri me duar shqiponjën dy krenare.
Pretendoi pafajësi, në një proces që sipas kreut të Partisë së Lirisë është i montuar politikisht.
“Jam ai Ilir Meta i 2 marsit. I ka përzgjedhur Charles McGonigal që është në burg dhe nuk do mbetet i vetëm atje. Montime me shpifje, gënjeshtra, me kallëzues të rremë, një proces të dhunshëm kundër shtetit shqiptar, jo kundër Metës, presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit.
Ju garantoj, mbaj përgjegjësi për çdo veprim timin, për çdo sjellje time, për çdo akt timin”, – tha Meta.
Për të bërë mbrojtjen e tij para qytetarëve, të cilëve thotë se u detyrohet për funksionet e larta shtetërore që ka mbajtur, ashtu siç ia kërkoi me shkrim Gjykatës së Posaçme, edhe pas kafazit të të pandehurit përsëriti:
“Nga sot deri në sekondën e fundit të ndiqni dhe të transmetoni live këtë proces”, – tha Meta.
Këto ishin të vetmet momente në të cilat kreu i Partisë së Lirisë foli para kamerave të televizioneve, teksa gjyqtarja Etleva Deda ende nuk e kishte çelur zyrtarisht seancën.
Gjyqtarja vendosi t’i lërë kamerat vetëm në fillim, në diskutimet teknike të procesit, ku legjitimohen palët. Më tej, me vendimin e gjyqtares, operatorët u nxorën jashtë.
Meta i përshëndeti nga kafazi punonjësit e medias teksa lënë sallën. Ndërsa ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi bën një gjest me dy gishtat e demokracisë.
Mes të dyve, një ftohtësi e akullt që nuk u thye as edhe me një shikim në sy.
Kjo seancë u shty, pasi nëna e ish-deputetes, Fatime Kryemadhi, mungoi dhe avokatja që kishte zgjedhur për ta mbrojtur nuk kishte një prokurë. Gjykata pezulloi afatet e paraburgimit deri në seancën e ardhshme më 11 maj dhe nga të pandehurit e tjerë pa masë sigurie, i vetmi që e pëson është Ilir Meta, i cili ndodhet në arrest me burg.
Si brenda dhe jashtë seancës në Gjykatën e Posaçme, avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, përsëriti dy kërkesa: që kreu i PL-së të qëndrojë jashtë kafazit të qelqtë dhe që gjykata t’u lejojë mediave t’i transmetojnë live seancat.
“Të gjithë gjyqet që nga 1995, i Alisë, Nanos, gjyqi në Hagë, të gjitha gjyqet bëhen me kamera, online.
Çmendet gjykata, s’kemi ç’t’i bëjmë.
S’e kuptoj gjykatën që merr vendim antikushtetues dhe thotë që s’do e shfaqim publikisht.
Bëjani pyetjen gjykatës, KLGJ, ministrit të Drejtësisë, do i ftoj ndërkombëtarët të vijnë seancën tjetër të shohin Metën në kafaz.
Më palaçot janë KLGJ që shohin këtë shkelje dhe rrinë në zyrat me kondicioner e bëjnë sehir”, – tha Cakrani.
Të njëjtat kritika edhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.
“Nuk mund të ketë më gjykime në bodrume, si në kohën e diktaturës”, – tha Blushi.
Monika Kryemadhi kërkoi t’i vihen në dispozicion si provë materialet e këqyrjes së telefonit të saj, për të përgatitur mbrojtjen.
Në seancë morëm pjesë edhe përfaqësues të Partisë së Lirisë, por për në seancat e radhës, prokurori Sotir Kllapi, kërkoi të mos jenë të pranishëm, duke qenë se një pjesë e tyre mund të thirren dëshmitarë në proces.
SPAK e ka marrë të pandehur Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, lidhur me aferën CEZ-DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA. Në seancën e radhës, gjykata pritet të shprehet nëse do të pranojë kërkesën për gjykim të shkurtuar për tre të pandehurit e tjerë: nënën e Monika Kryemadhit, Ema Çokun, mikeshë e saj, të akuzuara për pastrim parash, si dhe ish-kreun e AKEP, Pirro Xhixho, i pandehur për korrupsion.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
