E premte, 17 Prill, 2026

“Grupet iraniane mund të sulmojnë kudo”, ambasada e SHBA në Tiranë jep alarmin, thirrje për kujdes ndaj qytetarëve amerikanë

Share

Shqipëria mund të jetë objekt i sulmeve terroriste nga grupet e lidhura me Iranin.

Alarmi është dhënë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, e cila thekson se objektiv mund të jenë si subjekte të lidhura me SHBA, ashtu edhe elementë të opozitës iraniane që ndodhen në vend, pra përfaqësues të organizatës MEK në Manëz.

Në njoftim theksohet se këto grupe mund të shënjestrojnë gjithashtu edhe ambiente publike dhe zona të frekuentuara nga qytetarët.

Grupet e lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Ata gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Autoritetet amerikane u bëjnë thirrje qytetarëve të tyre që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të jenë vigjilentë për çdo situatë të dyshimtë.

Ne i inkurajojmë qytetarët amerikanë të ushtrojnë vigjilencë të shtuar”, thekson Ambasada e SHBA.

Po ashtu, ambasada u kërkon shtetasve të saj të monitorojnë mediat lokale, të jenë të vetëdijshëm për mjedisin përreth, të rishikojnë planet e sigurisë dhe të mbajnë telefonin celular të karikuar në rast emergjence.

Shqipëria është ndër të paktat shtete në Europë që ka hyrë në konflikt me Iranin. Përplasjet nisën pasi Shqipëria mori rreth 3000 muxhahedinë iranianë, përfaqësues të opozitës iraniane. Madje edhe vetë ish-lideri i Iranit, Ali Khamenei, para disa vitesh deklaroi: “Një vend i vogël europian, shumë i vogël dhe shumë i mbrapshtë ka bërë komplot me SHBA dhe tradhtarët e MEK kundër Iranit”.

Por përplasjet u ashpërsuan pas sulmit kibernetik ndaj sistemeve shqiptare. Më pas u dëbua ambasadori dhe u mbyll ambasada. Ndërkohë, pak ditë më parë Shqipëria e shpalli Iranin si shtet që financon terrorizmin.

Te tjera

Lajme te tjera