Nga Rigels Seliman
Ka një tipar të çuditshëm që përshkon shumë ish-zyrtarë të pushtetit: kritika e tyre nuk lind kurrë kur kanë përgjegjësi, por vetëm pasi humbin karrigen. Atëherë shfaqet befas një moral i vonuar, një ndjeshmëri e lartë demokratike, një “zbulim” i papritur i të vërtetave që, gjatë viteve me ofiqe, nuk u dukën askund. Kjo nuk është kthjelltësi politike; kjo është amnezi e qëllimshme.
Amnezia e qëllimshme është forma më e sofistikuar e oportunizmit: ajo të lejon të fshish gjurmët e heshtjes sate ndërsa ke qenë pjesë e makinerisë së pushtetit, për t’u rikthyer më pas si “kritik” i sistemit që vetë e ke ushqyer. Ajo të lejon të flasësh për dekadencën duke harruar vitet kur e ke normalizuar. Të lejon të denoncosh arrogancën duke shpërfillur momentet kur e ke justifikuar. Të lejon t’i tregosh gishtin të tjerëve, vetëm sepse ke menduar se publiku harron po aq lehtë sa ti.
Në Shqipëri, ky fenomen është bërë thuajse ritual nga disa zyrtarë dhe ofiqarë socialistë (Partisë Socialiste): kur ke pushtet, hesht; kur ikën, vjell vrer. E pamë me gra dhe burra politike që, derisa mbanin poste, flisnin për stabilitet, për reforma e për drejtësi në proces. Sot, pas ikjes, i sheh duke luajtur rolin e profetëve të moralit, duke shpërndarë alarme për autokraci, drejtësi të deformuar, apo humbje të llogaridhënies – ndërkohë që vetë, në kohën kur mund të bënin diçka, u mjaftuan me komoditetin e heshtjes.
Është ironike: sa kohë që i mbante PS-ja nën krah, nuk u shqetësuan as për etikë, as për drejtësi, as për demokraci. Sot që janë jashtë, problemi paska qenë aty gjithmonë – thjesht nuk u dallohej nga drita e pozicionit. Nuk ka sinqeritet në këtë kthjellim të vonuar; ka vetëm llogari personale.
Amnezia e qëllimshme është një mekanizëm mbrojtës: i mbron nga përgjegjësia, i pastron në pamje, i rreshkon si kritikë e pamëshirshme për të siguruar një rol të ri publik. Por ajo ka një problem të madh: publiku nuk është aq i harruar sa shpresojnë ata. Fjalët e sotme nuk i fshijnë vitet e djeshme. Zëri i lartë nuk e zëvendëson integritetin e munguar.
Në fund, demokracia nuk rrezikohet vetëm nga pushteti, por edhe nga ata që e përdorin kritiken si hakmarrje dhe jo si parim. Përballë kësaj, kujtesa është akt politik. Dhe kujtesa na thotë qartë: kritika e vonuar nuk është ndershmëri – është karrierizëm i ricikluar.
Nëse duam vërtet demokraci, duhet të vëmë në vendin e duhur edhe një kategori të re politikanësh: ata që flasin vetëm pasi ikin. Dhe t’u kujtojmë se harresa është një luks që publiku nuk ua ka dhënë.
