E diel, 2 Gusht, 2026

Sami Dake, patrioti dhe studiuesi që zbuloi të vërtetën e shenjtë të Dodonës në Kamnik

Share

-Zoti flet nga gurët e Kamnikut Neolitik, drita që lindi nga dheu dhe Dodona e shenjtë e Shqipërisë-

Nga Rigels Seliman

Në thellësi të gurëve të Kamnikut (Ersekë/Kolonjë), aty ku era përkëdhel gjurmët e shekujve dhe toka ruan sekretet e para të botës, rreh ende zemra e Dodonës së Shenjtë. Ajo nuk është thjesht një tempull i lashtë, por, siç e ka quajtur Sami Dake, “Faltorja Hierore e njerëzimit”, vendi ku lindi qytetërimi i parë mbi dhe, shumë përpara se të shkruhej fjala, shumë përpara se të këndohej Homeri.

Z.Sami Dake, studiuesi dhe patrioti që i flet historisë me zërin e shpirtit, na mëson se Dodona nuk është në Janinë, as në Tomor, as në Dëshnicë. Ajo gjendet në Kamnikun Neolitik, në zemër të Shqipërisë, aty ku njeriu nisi të njohë veten dhe Zotin. Ai e sheh këtë vend si djepin e qytetërimit botëror, si fillimin e “epokës së artë mitologjike”, rreth 50 mijë vite më parë, kur gruaja, toka dhe qielli ishin njësh në harmoni hyjnore.

Në rrënojat e Mekamit, në majë të Shkëmbit të Larmë, Dake ka parë shenjat e para të shpirtit njerëzor: qeramika të lustruara, gurë stralli që flasin si gjuhë e lashtë, varre të lashta që ruajnë heshtjen e grave matriarkale, krijuese të Kultit të Nënës së Madhe. Këto gjetje, thotë ai, janë prova të një qytetërimi të mrekullueshëm, të ndërtuar nga duart e grave që udhëhiqnin dhe bekonin jetën në paqe, përpara se epokat patriarkale ta groposnin këtë botë të shenjtë.

Kamnik, sipas Sami Dakes, mitologjia dhe feja lindën bashkë. Faltorja Hierore e Dodonës është tempulli më i lashtë mbi dhe, qendra e parë e besimit, dijes dhe shpirtit njerëzor. Këtu, njeriu mësoi të adhuronte natyrën, të komunikonte me gurin, me pemën, me qiellin. Këtu nisi filozofia kozmologjike e pellazgëve, populli hyjnor që lindi nga vetë Dheu.

Në studimet e tij monumentale, Dake tregon se shkrimi, gjuha dhe dija lindën në këtë vend të shenjtë. Shenjat gjeometrike në qeramikat e Kamnikut janë, sipas tij, fillimi i shkrimit njerëzor, shumë përpara kilëve të Sumerit apo hieroglifeve të Egjiptit. Aty ku të tjerët shohin pluhur, ai sheh gjurmë të Zotit. Aty ku të tjerët kalojnë me kureshtje, ai gërmon me dashuri.

Sami Dake nuk është thjesht kërkues i së kaluarës — ai është rojtar i kujtesës kombëtare. Ai beson se në Kamnik u lind njeriu i parë gjuhëfolës, se këtu ndodhi Shpërthimi i Madh i mendjes njerëzore, siç simbolizohet në vazon-krater që ndodhet sot në Muzeun Historik Kombëtar. Për të, ky është çasti kur majmunoidi u bë njeri, kur fryma hyjnore zbriti mbi tokë dhe krijoi shpirtin shqiptar.

Në librat e tij, në dy enciklopeditë që i quan “zëra të heshtur të Dodonës”, Dake shkruan me zjarr e me besim të thellë. Ai e di që kjo e vërtetë është e rëndë për t’u pranuar nga bota që e ka ndërtuar historinë sipas interesave të saj, por ai nuk ndalet. Ai thotë me bindje: “Qyteti prehistorik Dodonë i Faltores Hierore është zbulim i rrallë historik dhe i padiskutueshëm në Kamnikun Neolitik.”

Disa e quajnë idealist, disa e quajnë i vetëm në betejë. Por në të vërtetë, Sami Dake është zëri i ndërgjegjes shqiptare, njeriu që guxoi të thotë se Shqipëria është djepi i qytetërimit botëror. Ai nuk kërkon lavdi, as duartrokitje — kërkon vetëm të pranohet e vërteta, të njihet Dodona e Kamnikut si zemra e lashtësisë sonë.

Në kohë kur shumë heshtin, ai flet. Kur shumë dyshojnë, ai kërkon prova në gurë, në baltë, në legjenda. Dhe kur shumë shpifin e ngatërrojnë Dodonën me orakujt e Zeusit, ai thotë qartë: “Mos e ngatërroni Faltoren Hierore me orakujt e epokës patriarkale — sepse Dodona është më e lashtë se vetë historia.”

Në fund, Sami Dake mbetet patrioti që e do Shqipërinë me shpirt, studiuesi që po përpiqet të ngjallë ndër ne krenarinë e humbur për lashtësinë tonë. Ai e sheh Dodonën jo vetëm si vend arkeologjik, por si simbol të shpirtit shqiptar, që ka lindur nga guri, nga drita dhe nga fjala e parë e Zotit.

Dodona e Kamnikut, në vizionin e tij, nuk është thjesht një qytet i lashtë — është dëshmia e pavdekshme se rrënjët e njerëzimit janë shqiptare. Dhe nëse dikur Perëndia foli për herë të parë, ndoshta, siç beson Sami Dake, ajo foli në gjuhën e gurëve të Kamnikut, në gjuhën e shenjtë të kësaj toke që quhet Shqipëri.

Te tjera

Lajme te tjera