Nga Rigels Seliman
Politika ka një ligj të pashkruar, brutal dhe të pamëshirshëm: nuk të vret armiku, por të therr mbrapa shpine miku yt. Historia e djeshme në Këshillin Bashkiak të Tiranës është dëshmia më e freskët e kësaj aksiome. Opozita, natyrshëm kundërshtare e Erion Veliajt, nuk kishte nevojë të bënte shumë, mjaftoi që këshilltarët socialistë, njerëzit e vet, t’i bashkoheshin në votë për ta rrëzuar nga froni i kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Dhe kështu ndodhi: fundi erdhi jo prej armiqve, por prej trupës së vet politike.
Ky është thelbi i lojës së pushtetit: kur ngrihesh, njerëzit e tu të ngrejnë edhe më lart, ndërsa kur bie, ata të japin shtytjen përfundimtare. Veliaj (Lali Eri) nuk humbi nga opozita, por nga socialistët që deri dje i bënin fresk, që e duartrokitnin dhe e shihnin si të paprekshëm. Kjo është ironia më e madhe e karrierës së tij: të të varin për këmbësh jo ata që gjithmonë të shigjetuan, por ata që për vite të lëpinë këmbët.
Në këtë skenë groteske, s’ka si të mos kujtohet fundi i Benito Musolinit. Për dekada, në Italinë fashiste, Duçen e adhuronin, e madhëronin, i shërbenin me përulësi. Por në momentin që fuqia i mbaroi, ata të njëjtët njerëz, shërbëtorët më besnikë, ia varën trupin në shesh publik. Ishte jo vetëm fundi i një diktatori, por edhe ekspozimi i hipokrizisë njerëzore: se servilët janë të parët që të kthehen në xhelatë.
Dje Tirana pa një miniaturë të së njëjtës histori. Një lider si Erion Veliaj që besoi se kishte ushtri besnikësh, në fakt kishte një tufë oportunistësh. Dhe në momentin e parë që era politike ndryshoi drejtim, ata nuk hezituan t’ia ngulin thikën pas shpine Lali Erit.
Morali është i qartë: në politikë nuk ka miqësi, ka vetëm interesa. Servilët nuk janë mburojë, por janë varrmihësit e parë. Pushteti i vërtetë nuk matet me numrin e duartrokitësve, por me ata pak njerëz që nuk të tradhtojnë në furtunë. Dhe në këtë rast, historia e Musolinit nuk është thjesht një kujtim i largët – është një pasqyrë që u reflektua dje në kryeqytetin shqipt
