Takimet e Ervin Salinajit duket se kanë trazuar PD-në. Sali Berisha ishte dje në Mirditë ku nisi turin e foltoreve, por nuk kurseu sulmet ndaj ish-deputetit, i cili dje pati një takim madhështor në Durrës.
Pa përmendur emrin drejtpërdrejt, Berisha ka kritikuar qartë çdo përpjekje për të vendosur rrugë alternative jashtë strukturave të partisë, duke e cilësuar të papranueshme anashkalimin e forumeve të zgjedhura.
Sipas tij, PD është në prag të një procesi të plotë zgjedhor që do të përfshijë të gjitha nivelet e organizimit, nga kryetari i partisë deri te strukturat në bazë. Vendimet dhe drejtimi i partisë, sipas Berishës, i takojnë anëtarësisë përmes votës së lirë dhe jo grupeve të vogla që veprojnë jashtë sistemit statutor. Ai e ka konsideruar si sjellje të papërgjegjshme daljen nga forumet e partisë në një moment kur kjo ndodhet në një betejë kritike me qeverinë.
Berisha ka shprehur pakënaqësi për përpjekjet për të tërhequr vëmendjen publike me deklarata të bujshme në media, duke lënë pas dore debatin dhe përgjegjësinë në organet vendimmarrëse.
Sipas tij, nismat personale të shfaqura në kohë krizash të forta politike nuk ndihmojnë, por vetëm dëmtojnë besimin dhe kohezionin e brendshëm.
“Ne kemi një libër, kemi një statut. Atij i përmbahemi ne. Kështu që, edhe ai që e do Sali Berishën dhe ai që s’e do Sali Berishën, do ketë mundësi të shkojë te kutia e votimit të votojë. Po ama, po ama, në një kohë kur ne fillojmë, jemi në një betejë për riorganizimin, ri revitalizimin e partisë dhe përgatitjen për betejën e re, del anash. Po pse del anash ti? Ja ku janë, ja ku je. Është anëtar kryesie. Ka, çdo mbledhje ka patur të drejtë dhe do ketë të drejtë të thotë ç’të dojë. Po ti kur s’flet në Kryesi, s’flet atje ku është i ngarkuar dhe shkon dhe merr njerëz të pakënaqur. Shoh njërin aty, më çon mesazh një demokrat. Doktor thotë, a e pe Shuaipin aty? Shuaipin thotë, e ka çuar me detyrim Fred Xhaferi. Po ku është Fred Xhaferi sot? Fred Xhaferi është këshilltar i Bajramit. Po. Tani, me këto do merremi, s’merremi me këto ne. Ne merremi, çfarë ke zotëri? Je anëtar i partisë, je i lirë, ke të drejtë të shprehësh çdo mendim. Ama, në kulmin e, në kulmin e krizës së dyshes Rama-Balluku, të mbushësh studiot me këtë lajm, u ke borxh demokratëve pastaj. Ke borxh. Ne flasim, ne jemi parti e hapur, s’pengojmë njeri me fol. Çfarë të dojë, të thojë, të bëjë, të votojnë, të veprojë. A, pastaj me takime private nuk zgjidhen këto. Jo. Ne jemi parti e forumeve. Jemi parti, nuk jemi lëvizje, nuk jemi aktivistë. Jemi një parti politike”, tha Berisha.
Salianji nisi dje nga Durrësi një tur takimesh, bashkë me Ilir Alimehmetin dhe disa të tjerë. Dje pati shumë mbështetës dhe Berisha e ka marrë si sinjal rivaliteti.
