Edhe pse Rusia është në një pozicion shumë më të dobët aktualisht, teksa po përballet me rezistencën e ashpër të Ukrainës dhe po i nënshtrohet izolimit ndërkombëtar, Moska po nxit dhe ka në plan të përdorë një konflikt të ri të mundshëm në Ballkan si një front të dytë për të shkëputur vëmendjen perëndimore nga lufta në Ukrainë. Sinjalet e qarta janë dhënë sërish së fundmi, pasi në portalet në Tiranë vazhdon të qarkullojë një video ku duket një makinë me targa shqiptare në Ukrainë e cila është e mbushur me raketa Javelin. Nga një investigim i gazetës “Sot”, rezulton që këto lajme janë Fake Neës, pasi targat shqiptare te automjetit në Ukrainë janë false. Ato janë shfaqur pa elementet e Sigurisë, si dhe automjeti bashkë me targat janë aktive në Shqipëri, pasi i përkasin automjetit tip Mercedez Benz c220, në pronësi të një personi me inicialet A.XH, me profesion mësues. Mësohet se targa në video është letër e printuar. Pra, portalet shqiptare, kanë rënë pre e propagandës ruse. Por nuk mund të përjashtohen dyshimet se këto media që e kanë publikuar janë të paguara nga Moska. Kjo pasi, në mbarë Ballkanin, Moska po blen, ose po fiton kontrollin e aseteve strategjike në sektorët kyç si media, siguria, komunikimi dhe financat për të destabilizuar rajonin.
Akuzat e Moskës për mercenarë nga Shqipëria
Sulmet e njëpasnjëshme të Rusisë me akuza të stisura në drejtim të Ballkanit, se mercenar shqiptarë po luftojnë kundër Rusisë, duke e përforcuar së fundmi me lajmin e rremë të makinës me targa shqiptare, e plotësojnë pazëllin, se Moska ka plane të tjera për rajonin. Rusia ka tentuar së fundmi të përfshijë Ballkanin në luftën në Ukrainë. Pasi ka qenë vetë presidenti Vladimir Putin që pretendon se po shtohen mercenarët nga vendet e treta që marrin pjesë në konflikt. “Ne kemi vërejtur gjithnjë e më shpesh paraqitjen e mercenarëve nga vendet e treta, duke përfshirë nga Shqipëria dhe Kroacia, luftëtarë kosovarë, madje edhe xhihadistë me përvojë në luftimet në Siri”, është shprehur pak javë më parë Putin. Gjithashtu, ministria ruse, arriti deri në publikimin e shifrave, se 150 shqiptarë, nga të cilët sipas autoriteteve ruse, 42 janë vrarë, 40 janë rikthyer në Shqipëri, ndërkohë që vijojnë të jenë ende në luftë 68 të tjerë. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë duke e quajtur diversion të njohur të Rusisë. Sipas kësaj ministrie asnjë shtet nuk ka listat e mercenarëve ndaj ngrihet pyetja: Se ku i siguroi Rusia këto lista?! Pasi nuk i eci kjo skemë, Rusia ka dashur të vërtetojë me videon e filmuar të makinës me targa shqiptare, se akuzat e saj për mercenarët qëndrojnë, por faktet e nxjerrin blof. Në kulmin e luftës Rusi-Ukrainë dhe zërave se Moska po tenton t’i hedhë benzinë zjarrit të destabilitetit në Gadishullin e Ballkanit, NATO ka treguar edhe njëherë së fundmi se do të ofrojë siguri dhe garanci në vendet e rajonit, sidomos në Shqipëri. Kjo u bë e ditur nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Ky i fundit teksa ishte duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit me kryeministri Edi Rama, deklaroi se NATO do jetë krah Shqipërisë dhe vendeve aleate, duke i çuar një mesazh të drejtpërdrejt vendeve jomike si Rusia.