E premte, 28 Gusht, 2026

“Agasi ishte në kontroll të Ramës”/ Berisha: Arrestimi i tij i negociuar, të hetohet ndërkombëtarisht! Prokuroria ka regjistrimet e zyrës në Bllok, po i fshijnë

Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, në konferencën me gazetarët ditëne  sotme, ngriti pikëpyetje të forta mbi mënyrën dhe rrethanat e arrestimit të Ergys Agasit. Berisha deklaroi se elementët e operacionit krijojnë dyshimin për një “arrestim të negociuar” dhe kërkoi që hetimi të ndiqet me vëmendje të veçantë nga institucionet ndërkombëtare.

Berisha theksoi se Agasi ka pasur për vite me radhë një ndikim të gjerë në administratën shtetërore dhe në struktura të rëndësishme të sigurisë, ndërsa ngriti dyshime edhe për aksesin e tij në të dhëna sensitive dhe sistemet digjitale shtetërore. Ai e cilësoi Agasin si një person me pushtet de facto dhe shtoi ndër të tjera se zyra e tij në Tiranë ka shërbyer si pikë takimi për zyrtarë të lartë të shtetit, përfshirë ministra, deputetë, gjyqtarë, prokurorë dhe drejtues të policisë.

Kryedemokrati, Sali Berisha kërkoi që autoritetet të sqarojnë të gjitha rrethanat dhe që procesi të monitorohet nga Europol, Eurojust dhe institucionet ligjzbatuese të vendeve partnere.

Lideri demokrat, Sali Berisha theksoi gjithashtu se hetimi duhet të verifikojë informacionet mbi lëvizjet dhe kontaktet e Agasit, përfshirë një takim me Taulant Ballën. Berisha e cilësoi këtë si informacion të ardhur nga një burim policor, por theksoi se duhet verifikuar nga hetuesit.

Gjatë sesionit të pyetje-përgjigjeve me gazetarët, Berisha u pyet nëse pas arrestimit të Agasit qëndron një vendimmarrje e kryeministrit Edi Rama dhe nëse mund të ketë pasur ndërhyrje nga aktorë të tjerë brenda qeverisë.

Berisha u përgjigj se, nëse arrestimi rezulton të jetë i negociuar, përgjegjësia politike shkon te Edi Rama. Ai ngriti gjithashtu mundësinë që përplasjet e brendshme në mazhorancë, përfshirë raportet me Belinda Ballukun, të kenë ndikuar në zhvillimet rreth çështjes, por pa e përjashtuar tezën e një marrëveshjeje të drejtpërdrejtë.

I pyetur për rolin e Taulant Ballës, Berisha përsëriti informacionin për një takim me Agasin dhe tha se duhet të hetohet nëse Balla ka pasur rol në ndonjë negociim për dorëzimin e tij.

Një tjetër pyetje lidhej me faktin nëse arrestimi i Agasit ndryshon realisht situatën politike. Berisha argumentoi se, problemi kryesor mbetet pushteti i Edi Ramës, pasi një person tjetër mund të marrë të njëjtin rol dhe të njëjtin ndikim nëse sistemi politik mbetet i pandryshuar.

Kryetari i PD, Sali Berisha u pyet edhe për reformën territoriale dhe qëndrimin e PD-së në parlament. Ai deklaroi se opozita nuk tërhiqet nga kundërshtimi i reformës së propozuar nga qeveria dhe se qëndrimi i mëtejshëm do të përcaktohet nga strukturat e partisë. Ai paralajmëroi vijimin e aksionit opozitar, protestave, modernizimit të PD-së dhe përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme.

Pyetjet e gazetarëve u ndalën edhe te videot e regjistruara në zyrën e Ergys Agasit dhe përmbajtja e tyre. Berisha i cilësoi këto materiale si “galeria më e zezë e shtetit shqiptar”, duke theksuar se ato janë nën kontrollin e kryeministrit Rama. Lideri demokrat e sfidoi hapur Ramën që të dalë publikisht dhe të deklarojë nëse është apo jo pjesë e personazheve të regjistruara në këto video.

Berisha e mbylli konferencën duke e vendosur çështjen Agasi në një kuadër më të gjerë politik: hetimi nuk duhet të ndalet te arrestimi i një personi, por duhet të zbardhë të gjithë mekanizmin e pushtetit, kontaktet dhe përgjegjësitë që mund të dalin prej tij, ndërsa përsëriti thirrjen për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Te tjera

Lajme te tjera