Shqipëria duhet të fuqizojë luftën kundër korrupsionit dhe të mbështesë punën e SPAK. Ky ishte qëndrimi iraportuesit të Parlamentit Europian, Andreas Schieder në përfundim të misionit faktmbledhës në Shqipëri në prag të raportit të këtij viti për vendin tonë. Schieder apeloi nga Tirana, se suksesi i integrimit varet nga puna e SPAK dhe bëri thirrje që ky institucion të mos pengohet.
“Mbështesim punën e SPAK-ut në nxitjen e një kulture integriteti dhe në rikthimin e besimit të qytetarëve te institucionet publike. Është thelbësore që puna e SPAK-ut të mos ndërpritet nga aktorë të tjerë dhe që institucionet e tjera shtetërore të mbështesin punën e SPAK-ut. Reforma në drejtësi e vitit 2016 ka përmirësuar perceptimin publik të Shqipërisë jashtë vendit. Shtetet anëtare duhet të jenë unanimisht të qarta se çdo përpjekje për të minuar reformën apo SPAK-un mund të shkaktojë dëme serioze dhe do të rrezikonte gjithashtu të përmbyste ecurinë e arritur në luftën kundër korrupsionit dhe arritjet e viteve të fundit në këtë drejtim”, theksoi Schieder.
I pyetur për kërkesën e SPAK për të arrestuar zëvendëskryeministren, eurodeputeti i doli në krah prokurorisë dhe ishte optimist për vendimin e Kuvendit.
Të gjitha institucionet duhet të mbështesin punën e SPAK, por nuk është për Kuvendin apo për Parlamentin Evropian që të ndërhyjnë apo për të bërë komente specifike. Jam i sigurt dhe për parlamentin në Shqipëri që do të bëhen diskutimet e duhura dhe vendimet e duhura do të merren në bazë të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit”, theksoi ai.
Raportuesi i Parlamentit Europian i bëri thirrje aktorëve politikë për dialog, ndërsa Partisë Demokratike i kërkoi që në vend se të përdorin molotovë, në arenën politike të luftojnë fort me argumentet.
“Të mos fillohet me molotovë, por të luftohet fort me argumente në skenën politike aty ku duhet. Kjo vlen edhe për opozitën edhe për qeverinë”, tha ai.
Eurodeputeti që takoi gjithë politikanët kryesorë në vend, nuk pati një takim me liderin e opozitës, Sali Berisha. Shmangie kjo, në dukje e qëllimshme, për sa kohë edhe toni që përdori në konferencë për të, ishte distancues.
“Ju lutem mos më bëni pyetje për gjithçka që thotë Berisha dhe që unë të bëj komente për gjithçka që do thotë ai, sepse edhe unë pastaj do më duhet të dal nga roli im institucional”, tha ai.
