Agjencia amerikane për zbatimin e ligjit të emigracionit dhe doganave, e njohur si ICE, është shndërruar nën administratën e Donald Trump në boshtin kryesor të një prej operacioneve më të mëdha të dëbimeve masive në historinë e Shteteve të Bashkuara. Situata në vend është bërë shumë e tensionuar pas dy vrasjeve të lidhura me ndërhyrjet e kësaj agjencie, duke ringjallur debat të ashpër publik dhe kundërshtime nga komunitetet lokale.
ICE është përfshirë në mijëra arrestime në hapësira publike që kur Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025, dhe këto veprime kanë shkaktuar shpesh përplasje me protestuesit që kundërshtojnë praktikat e agjencisë. Kjo agjenci drejton zbatimin e një nisme të qeverisë Trump për dëbime masive, një premtim ky qendror i fushatës së tij elektorale.
Që nga rikthimi i tij në detyrë, Trump ka zgjeruar ndjeshëm ICE-n—si në buxhet ashtu edhe në mandat—për të ndjekur dhe ndaluar personat që supozohet se janë në SHBA pa dokumente të rregullta. Agjencia ka përgjegjësi edhe për hetimin e emigracionit të paligjshëm dhe largimin e emigrantëve të padiçitura nga vendi.
ICE u themelua në vitin 2002 nën ligjin për Sigurinë e Brendshme, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, si një nga zyrat brenda Departamentit të Sigurisë së Brendshme të SHBA-së. Agjencia shpreh se misioni i saj mbulon si sigurinë publike ashtu edhe atë kombëtare. Agjentët e saj kanë autoritetin të ndalojnë, arrestojnë dhe mbajnë persona që dyshohen se janë në mënyrë të paligjshme në vend, por për hyrje në shtëpi apo hapësira private kërkohet urdhër gjykate.
Në raste të caktuara, agjentët mund të mbajnë edhe qytetarë amerikanë—për shembull kur dikush pengon një arrestim, sulmon një zyrtar, ose nëse dyshohet se është në vend në mënyrë të paligjshme. Megjithatë, organizata gazetare ProPublica raportoi se në nëntë muajt e parë të presidencës Trump, ka pasur mbi 170 raste ku agjentë federalë mbajtën qytetarë amerikanë kundër dëshirës së tyre, pasi u klasifikuan gabimisht si emigrantë pa dokumente.
Përdorimi i forcës nga ICE rregullohet nga Kushtetuta dhe ligjet amerikane, si dhe nga udhëzimet e politikave të Departamentit të Sigurisë së Brendshme. Sipas Kushtetutës amerikane, forca vdekjeprurëse mund të përdoret vetëm kur një person paraqet rrezik serioz për agjentët ose të tjerët, ose kur ka kryer një krim të dhunshëm, shpjegoi Christopher Slobogin, drejtues i programit për drejtësi penale në Universitetin Vanderbilt.
Megjithatë, Gjykata e Lartë e SHBA-së tradicionalisht ka treguar një tolerancë të lartë ndaj policëve që veprojnë nën tension pa mundësinë e gjykimit të mëvonshëm. Një udhëzim i DHS-it nga viti 2023 përcakton se agjentët federalë “mund të përdorin forcë vdekjeprurëse vetëm kur është absolutisht e nevojshme” dhe kur ka një besim të arsyeshëm se individi paraqet një kërcënim të menjëhershëm për jetë apo dëmtime serioze.
Rasti i vrasjes së një qytetareje amerikane me inicialet G. në Minneapolis, e që u qëllua ndërsa ishte në makinën e saj, ka ndezur reagime të ashpra. Administrata Trump pretendon se agjenti veproi në vetëmbrojtje, por zyrtarët lokalë thonë se ajo nuk paraqiste rrezik. Pas kësaj ngjarjeje, zyrtarë nga Minesota paditën qeverinë për të ndaluar dërgimin e agjentëve federalë të emigracionit në shtet.
ICE vepron kryesisht brenda SHBA-së, ndërsa shërbime të tjera si Doganat dhe Mbrojtja e Kufirit (CBP) fokusohet zakonisht në rojën e kufijve. Nën administratën Trump, rolet janë bërë më të paqarta, duke përfshirë agjentë nga agjenci të ndryshme federale në operacione brenda vendit, shpesh bashkë me ICE.
Derisa operacionet e ICE kanë përfshirë mijëra agjentë në qytete si Los Anxhelos, Çikago dhe Minneapolis, administrata raporton se midis 20 janarit dhe 10 dhjetorit 2025 janë dëbuar rreth 605,000 persona, ndërsa 1.9 milionë emigrantë “u larguan vetë” pas fushatave të presionit për t’i nxitur të largohen përpara arrestimit.
Një emigrant që bie në kontakt me ICE mund të përballet me skenarë të ndryshëm: në disa raste mbahet përkohësisht dhe lirohet pas verifikimit, në të tjera dërgohet në qendra më të mëdha mbajtjeje. Shumë kërkojnë status ligjor qëndrimi ndërsa janë nën arrest, por nëse nuk ia arrijnë, rrezikojnë dëbimin.
Në fund të nëntorit 2025, rreth 65,000 persona ishin nën mbajtje nga ICE, sipas të dhënave të Transactional Records Access Clearinghouse (TRAC) të Universitetit Syracuse. Avokatët e emigracionit thanë se familjet shpesh nuk dinë për vendndodhjen e të afërmve të arrestuar për ditë me radhë.
Reagimet publike ndaj operacioneve të ICE janë të përziera. Ndërsa disa amerikanë mbështesin nevojën për zbatimin e ligjit të emigracionit, sondazhet tregojnë se shumica janë të shqetësuar për metodat e përdorura, dhe shpesh dokumentojnë arrestimet përmes video-incidenteve. Në Çikago, një grup media paditi Doganat dhe Mbrojtjen e Kufirit duke akuzuar përdorim të tepruar force ndaj gazetarëve, udhëheqësve fetarë dhe protestuesve; një gjykatës federal i dha të drejtë fillimisht grupit, por më pas vendimi u anulua në apel.
Përveç rastit të G., raportohet se një agjent i ICE qëlloi në këmbë një shtetas venezuelas në Minneapolis pasi ai u përpoq të rezistonte arrestimit, dhe ka pasur incidente edhe në Los Anxhelos ku agjentë qëlluan drejt drejtuesve të mjeteve, pretendime këto që DHS i ka argumentuar se ishin në përgjigje të kërcënimeve me automjet.
Debati për rolin e ICE dhe masat e qeverisë amerikane ndaj emigracionit mbetet në qendër të vëmendjes publike dhe politike në Shtetet e Bashkuara, me opinione të ndara mbi domosdoshmërinë dhe mënyrën e zbatimit të politikave të deportimit.
