Sot është një ndër sopranot shqiptare më të vlerësuara në botë, por fillimi i karrierës duket se nuk ka qenë aspak i lehtë për Ermonela Jahon, sidomos gjatë studimeve në konservatorin e Romës.
Ajo tregoi se, në fillimet e saj në Itali, është detyruar t’i kërkojë ndihmë mësuesve që e njihnin në Mantova, duke u ofruar të punojë si babysitter dhe kamariere për të siguruar jetesën:
“Ka qenë shumë e vështirë, sidomos pasi humba dokumentet gjatë procesit të ndërrimit të tyre. Madje, në një periudhë kam qëndruar edhe një javë pa ngrënë, pasi familja ku qëndroja kishte probleme me divorcin”, tha Jaho.
Vështirësitë nuk përfunduan me kaq. Pasi fitoi konkursin për të vazhduar studimet në konservatorin “Santa Cecilia” në Romë, iu desh një certifikatë nga ambasada shqiptare për shkak të skadimit të vizës. Por ambasada ia refuzoi këtë dokument dhe i kërkoi të rikthehej në Shqipëri.
“Kam shkuar duke qarë në sekretarinë e konservatorit, duke iu lutur drejtorit që të më lejonte të vazhdoja ëndrrën time. Ai më pa dhe më tha: ‘Do të doja që edhe fëmija im të kishte pasionin tënd’. Dhe vendosi të më pranonte pa dokumente”, rrëfeu artistja me emocione në emisionin “Log.”
Sot, sopranoja shqiptare është e njohur në skenat më të mëdha operistike në botë, por nuk e harron mirënjohjen ndaj atyre që e ndihmuan në fillimet e saj: “Ai drejtor ka ndërruar jetë, por unë e kujtoj gjithmonë me falënderim”, tha Jaho.