E martë, 16 Shtator, 2025

“Dorëheqja e Ermal Dredhës, akt qytetarie!”/ Deputeti Vullnet Sinaj: Qeveria Rama 4 nga më të mirat, me përgjegjësi në rrugën drejt BE-së

Share

Deputeti socialist i qarkut të Vlorës, Vullnet Sinaj ka vlerësuar kabinetin e ri qeveritar, duke e cilësuar “një nga qeveritë më të mira” të deritanishme, që ka përgjegjësinë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Sa i përket ministrave, është një nga qeveritë më të mira, mendoj që qeveria Rama 4 ka përgjegjësi të mëdha, sidomos në rrugën e Shqipërisë drejt BE.

Është qeveri e përzgjedhur me elementë shumë të mirë, të përkushtuar për punën, të cilët mendoj që do ta justifikojnë këtë radhë sepse matja e rezultateve të tyre do jetë konkrete për të plotësuar të gjitha kërkesat që ka BE, për t’i hapur Shqipërisë rrugën që dhe ne pastaj në Bruksel të çojmë flamurin tonë kombëtar krahas flamujve të vendeve të tjera të kontinentit”, tha Sinaj në një prononcim nga aktiviteti ‘Epopeja e Drashovicës’ në Vlorë.

Sinaj ka komentuar dhe dorëheqjen e Ermal Dredhës nga drejtimi i bashkisë. 

“Unë nuk mund të them më shumë se komentet që ka bërë vetë kryetari i Bashkisë së Vlorës për aktin e tij qytetar, për dorëheqjen nga drejtimi i Bashkisë së Vlorës, për t’i lënë mundësinë më mirë përmirësimit të punëve në Bashkinë e Vlorës.

Normal që ai është djalë Vlore, e do Vlorën, është përpjekur të bëjë maksimumi por në situatën që u ndodhëm, kur kërkesat e qytetit dhe qytetarëve të Vlorës ndaj pushtetit qëndror dhe PS që ka dhe pushtetin qëndror, ka bërë një akt qytetar, mund t’i ndodhë kujtdo siç i ka ndodhur atij në atë situatë. Mendoj që e ardhmja do jetë më e mirë për qytetin”.

Deputeti shtoi se në krye të bashkisë së Vlorës është emëruar një nga nënkryetarët, ndërsa së shpejti pritet të vendoset nëse ai do të vazhdojë për dy vitet e ardhshme apo do të zhvillohen zgjedhje të parakohshme si në bashkitë e tjera.

“Për momentin është komanduar një nga nënkryetarët, për ta drejtuar Bashkinë e Vlorës, pastaj do jetë në vendimmarrjen e Kryeministrit se çfarë do ndodhi me bashkitë e tjera që janë larguar disa kryetarë bashkish dhe do bëhen zgjedhje të reja në ato bashki. Për Vlorën akoma nuk është marrë një vendim, presim se çfarë vendimi do merret. Do vazhdojë nënkryetari ta drejtojë dhe këto 2 vjet apo do kemi ndryshim në këtë vendimmarrje”.

Te tjera

Lajme te tjera