Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski ka komentuar raportin e Komisionit Evropian për vendin e tij. Mickoski është shprehur se nuk pajtohet me deklaratën e disa komisionerëve evropianë se Shqipëria është përpara Maqedonisë në rrugën drejt BE-së.
Ai shtoi pas zgjedhjeve, qeveria do të përqendrohet në reformat gjyqësore. Kryeministri maqedonas theksoi se është i kënaqur me Raportin sepse nuk ka regres. Sipas tij ka ngecje në disa fusha dhe për këtë arsye nevojiten ndryshime në Këshillin Gjyqësor dhe në Prokurori.
“Ne jemi përpara Shqipërisë, edhe pse disa komisionerë evropianë kanë thënë gjëra të tilla, kështu që kur bëhet fjalë për analizimin se cili vend është gati, Mali i Zi është i pari, Maqedonia dhe Serbia në vendin e dytë, dhe pastaj vjen Shqipëria”, tha Mickoski.
Komisioni Europian ka publikuar raportin më të fundit për progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke vlerësuar se vendi ka ruajtur angazhimin e lartë politik dhe ka hapur negociata për pesë nga gjashtë grup-kapitujt. Megjithatë, dokumenti nënvizon se një sërë sfidash kyçe vazhdojnë të pengojnë ritmin e reformave.
Sipas raportit, zgjedhjet parlamentare të majit 2025 ishin konkurruese dhe profesionalisht të administruara, por u shoqëruan me pabarazi në terrenin elektoral, përdorim të burimeve publike dhe polarizim të thellë politik. Komisioni thekson nevojën për një reformë të plotë zgjedhore dhe rritje të kontrollit parlamentar ndaj qeverisë.
Në fushën e sundimit të ligjit, BE vlerëson progresin e reformës në drejtësi, por paralajmëron se presioni politik mbi institucionet e drejtësisë mbetet shqetësues. Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë vijojnë të funksionojnë me kapacitete të kufizuara, ndërsa sistemit i mungojnë gjyqtarë dhe prokurorë të mjaftueshëm.
Raporti i kushton rëndësi edhe luftës kundër korrupsionit, ku SPAK ka rritur ndjeshëm performancën në ndjekjen e rasteve të nivelit të lartë. Sidoqoftë, korrupsioni konsiderohet ende i përhapur në shumë sektorë publikë, ndërsa deklarimi dhe kontrolli i pasurive kërkojnë transparencë dhe efikasitet më të madh.
Në fushën ekonomike, Komisioni vëren se ekonomia shqiptare ka ruajtur rritjen, inflacioni është stabilizuar dhe borxhi publik ka rënë. Megjithatë, sfida si evazioni fiskal, qeverisja e dobët e ndërmarrjeve shtetërore dhe produktiviteti i ulët vijojnë të pengojnë konkurrueshmërinë.
Mjedisi, klima dhe menaxhimi i mbetjeve mbeten ndër fushat me përparimin më të ulët, ku BE kërkon miratimin e ligjeve të reja, forcimin e inspektimeve dhe përshpejtimin e projekteve infrastrukturore sipas standardeve europiane.
Sa i përket politikës së jashtme, Shqipëria vlerësohet maksimalisht për përputhjen 100% me qëndrimet dhe sanksionet e BE-së, duke u cilësuar partner i besueshëm në rajon.
Komisioni Europian përsërit se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm përpara, por thekson nevojën për përshpejtimin e reformave në demokraci, drejtësi, administratë publike dhe mjedis në mënyrë që vendi të avancojë drejt hapjes dhe mbylljes së kapitujve të negociatave.
